Sopoti, Alfa, Monstra – shqiptarët u dënuan, u torturuan e u shkatërruan, ndërsa përgjegjësit mbetën të paprekur!

1. Rasti “SOPOTI”, 11 shqiptarë të pafajshëm u dënuan me 156 vite burg. Të gjithë u torturuan. Njërin, nga torturat, kërcënimet për jetë dhe rrahjet çnjerëzore, e detyruan të bëhet “dëshmitar i mbrojtur”. NATO alarmoi se ata ishin të pafajshëm. Institucionet këtë veçmë e dinin, por shqiptarët duhej të paraqiteshin si fajtorë në sytë e botës. Vetëm pas presionit të fortë ndërkombëtar, rasti u zbardh dhe ata dolën të pafajshëm. Por ata që e montuan, vazhduan punën. Madje avancuan ndjeshëm në karrierë. Asnjë përgjegjësi për një fshat të marrë në qafë. Asnjë përgjegjësi për jetët dhe familjet e shkatërruara. PARTIA SHQIPTARE NË QEVERI HESHTI.
2. Rasti “ALFA”, shqiptarë të pafajshëm u dënuan me burg të përjetshëm. Rexhail Qerimi vdiq në burg, i pafajshëm. Agim Islami vazhdon të vuajë dënimin pa asnjë faj. Njerëzit që montuan rastin NUK KANË MBAJTUR KURRË PËRGJEGJËSI.
3. Rasti “MONSTRA”. Arkitektët e Sopotit tentuan të përsërisnin të njëjtin skenar. Kidnapuan Haki Hazirin, e torturuan dhe u përpoqën ta detyronin të bëhej “dëshmitar i mbrojtur”, për të akuzuar familjarët e tij. Hakiu nuk pranoi. Skenari me të dështoi, por kjo nuk i ndali. Shqiptarë të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm, edhe pse nuk kishte asnjë provë kundër tyre. Qindra njerëz u maltretuan. Gra, vajza, familje të tëra. Asnjë nga policët që morën pjesë në aksion nuk u suspendua dhe nuk u mbajt përgjegjës. Ndërkohë, PËRFAQËSUESIT SHQIPTARË NË QEVERI FOTOGRAFOHESHIN ME URDHËRDHËNËSIT E AKSIONIT. Zëdhënësi i atëhershëm i partisë në qeveri madje shkoi deri aty sa të deklaronte në një emision televiziv se Haki Haziri kishte “humbur” me vetëdëshirë dhe nuk donte të kthehej në shtëpi.
4. Pak ditë më parë, një patrullë policore dhunoi barbarisht dy të rinj shqiptarë. Këtë herë, për herë të parë, pati një masë ndaj dhunuesve. TË GJASHTË POLICËT U SUSPENDUAN. Ky është një hap i domosdoshëm. Por suspendimi nuk është drejtësia e plotë. ATA DUHET TË PËRGJIGJEN EDHE PENALISHT. Përgjegjësia nuk mund të përfundojë me largimin e përkohshëm nga detyra.

📌 Nuk desha të hap plagë duke rikujtuar rastet e mëhershme, por duhen rikujtuar për të bërë krahasimin. Gjatë gjithë këtyre viteve, pandëshkueshmëria e ka mbajtur gjallë dhunën dhe diskriminimin. Sistemi dhe mendësia e tij, në thelb antishqiptare, nuk kanë ndryshuar dhe nuk ndryshojnë lehtë. POR, PËR DALLIM NGA HERËT TJERA, SOT, KUR SHQIPTARËT DHUNOHEN, SË PAKU NISËN SUSPENDIMET. Kjo ka rëndësi, por nuk mjafton për të shpallur se sistemi ka ndryshuar. Ndryshimi duhet të jetë rrënjësor. Duhet të ndalet diskriminimi, të ketë përgjegjësi për abuzimet dhe drejtësi të barabartë për çdo qytetar.

Nuk mjafton thjesht të jesh shqiptar në pushtet, në administratë, në polici, në ushtri, në ndërmarrjet publike… Nëse i shërben një sistemi që diskriminon shqiptarët, kot që mburresh me përkatësinë tënde etnike. Shqiptarët mbrohen me veprime konkrete dhe me luftë të pakompromis për drejtësi. Uroj që ky të jetë rasti i fundit. Por që dhuna të mos përsëritet më kurrë, institucionet duhet ta çojnë përgjegjësinë deri në fund.

Faleminderit gazetarëve që alarmuan për rastin në fjalë.