Sofja konfirmon takimin Mucunski–Petrova, Mickoski: Vetëm me dialog mund të gjendet zgjidhja

Sofja ka dërguar konfirmim zyrtar se nesër do të zhvillohet një takim bilateral mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe ministres bullgare Velislava Petrova Çamova, bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, formati i takimit ende nuk është përcaktuar dhe mund të zhvillohet në margjinat e samitit për Korridorin 8. Mickoski tha se qëndrimi i Shkupit mbetet i qartë: zgjidhja e mosmarrëveshjeve duhet të kërkohet përmes dialogut.
“Jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duam që sa më shpejt ta realizojmë synimin tonë strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Mickoski.
Duke komentuar mundësinë që Komisioni Evropian të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes në procesin e zgjerimit, Mickoski tha se Brukseli, sipas tij, e ka kuptuar se disa vende anëtare po e përdorin pozitën e tyre për çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me kriteret evropiane.
Kryeministri foli edhe për modelin e integrimit gradual në BE, duke thënë se parashihen tri kushte. Njëri lidhet me reforma specifike që Komisioni Evropian do t’i përcaktojë për secilin vend, ndërsa dy të tjerët kanë të bëjnë me harmonizimin në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe me reformën e sistemit të prokurimeve publike.
“Nga tri kushtet, dy tashmë i plotësojmë. Për të parin presim të shohim se çfarë do të kërkojë Komisioni Evropian nga ne”, tha Mickoski, duke shtuar se ndryshimet në fushën e prokurimeve publike pritet të miratohen në Kuvend javën e ardhshme.
Ai tha se Qeveria do të punojë për plotësimin e kushteve që vendi të hyjë në procesin e integrimit gradual, ndërsa këtë qasje të re të BE-së e krahasoi me kërkesën e Shkupit që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pas përfundimit të negociatave për anëtarësim.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për ngecjen e eurointegrimeve, Mickoski tha se nuk dëshiron të merret me, siç i quajti, “sulme personale”, duke këmbëngulur se fokusi i Qeverisë mbetet procesi integrues.