Sofja hesht ndaj kërkesës së Shkupit, Mucunski ende pret përgjigje për takim bilateral

Maqedonia e Veriut ende nuk ka marrë përgjigje nga Bullgaria për kërkesën për një takim bilateral, të dërguar pas bisedimeve në Shkup me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se, pas sugjerimit të Von der Leyen, i ka kërkuar ministrit të Jashtëm Timço Mucunski të iniciojë një takim me palën bullgare.

“Ministri kërkoi takim, por ende nuk kemi përgjigje. Pasi ta marrim atë, do të mund të komentojmë më shumë”, deklaroi Mickoski.
Takimi i mundshëm mes Mucunskit dhe homologes bullgare Velislava Petrova Çamova lidhet edhe me takimin për Korridorin 8, që pritet të mbahet më 8 tetor në Sofje.

Duke folur për mosmarrëveshjet historike, përfshirë çështjen e Car Samuilit, Mickoski përmendi Marrëveshjen e Bledit dhe eshtrat e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi” në Shkup, duke kërkuar që, sipas tij, marrëveshjet historike të mos trajtohen në mënyrë selektive.
Ai komentoi shkurt edhe raportimet për artefakte dhe relikte nga kisha “Shën Mëria Perivlepta” në Ohër, të cilat pretendohet se janë marrë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore dhe janë dërguar në Bullgari, por tha se nuk dëshiron të hyjë në komente të mëtejshme.