Snezhana Paunoviç, thjesht e zbuloi fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit

Milaim Halimi Mesamali Kur ministrja serbe Snezhana Paunoviç deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, ajo nuk foli si një politikane e papërgjegjshme që i shpëtoi gjuha. Ajo artikuloi publikisht atë që për dekada ka qenë fryma e nacionalizmit agresiv serb.
Në të vërtetë, zonja Paunoviç nuk shpiku asgjë. Ajo vetëm e zhveshi propagandën nga petku diplomatik dhe e paraqiti lakuriq para botës.
Prandaj, falënderit zonja ministre e çetnikut Vuçiq!
Jo pse meritoni mirënjohje, por sepse ua kujtuat Evropës se ideologjia që solli Vukovarin, Sarajevën, Srebrenicën, Reçakun dhe qindra masakra të tjera nuk ka vdekur. Ajo ende flet nga zyrat e pushtetit në Beograd.
Për ta mbështetur këtë frymë, zonja ministre riktheu edhe një herë katër mitet e vjetra të propagandës serbe: Patriarkanën e Pejës, rastin Martinoviq, helmimin e nxënësve shqiptarë dhe kafenenë “Panda”. Të katra raste të përdorura për vite me radhë për të demonizuar shqiptarët, megjithëse për secilin prej tyre ekzistojnë fakte, hetime ose deklarata publike që hedhin poshtë versionin propagandistik të ngritur nga regjimi i kohës.
Kjo nuk është histori.
Kjo është propagandë e ricikluar.
Dhe propaganda është gjithmonë paraprirëse e urrejtjes.
Por pyetja më e madhe nuk është se çfarë tha Snezhana Paunoviç.
Pyetja është: çfarë do të bëjë Bashkimi Evropian?
Sa herë duhet të dëgjojë Evropa thirrje që justifikojnë ose lavdërojnë spastrimin etnik, përpara se ta kuptojë se në Serbi nuk ka përfunduar ende përballja me të kaluarën?
Si është e mundur që një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian të lejojë ministra që shprehin nostalgji për politikat e një regjimi përgjegjës për krime lufte?
Nëse një ministër i cilitdo vend tjetër evropian do të shprehte publikisht dëshirën për të përsëritur spastrime etnike, pasojat politike do të ishin të menjëhershme.
Pse atëherë, kur kërcënimi drejtohet kundër Kosovës dhe shqiptarëve, Evropa shpesh mjaftohet me heshtje?
Heshtja nuk është neutralitet.
Heshtja është privilegji që i jepet agresorit.
Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të ecet drejt Brukselit me gjuhën e Millosheviqit.
Nuk mund të kërkosh fonde evropiane, ndërsa ministrat e tu shprehin admirim për politika që synonin zhdukjen e një populli nga trojet e veta.
Nuk mund të pretendosh se je faktor stabiliteti, ndërkohë që zyrtarët më të lartë ushqejnë narrativat që dikur ndezën luftërat në ish-Jugosllavi.
Evropa duhet të reagojë me vendosmëri politike. Ajo duhet të kërkojë distancim të qartë nga çdo glorifikim i spastrimit etnik, të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ta bëjë të qartë se retorika që nxit armiqësi etnike është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Kosova nuk kërkon privilegje.
Shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë.
Ata kërkojnë vetëm atë që Evropa premton se mbron: drejtësi, dinjitet njerëzor, barazi para ligjit dhe refuzim të çdo ideologjie që nxit urrejtje, dhunë dhe spastrime etnike.
Historia nga e kaluara na ka mësuar se gjenocidet nuk fillojnë menjëherë me plumba. Ato fillojnë me fjalë!
Fillojnë me politikanë që e normalizojnë urrejtjen.
Fillojnë me heshtjen e atyre që mund të flasin, por zgjedhin të mos flasin.
Prandaj, Evropa nuk duhet të presë tragjedinë e radhës për të kuptuar rrezikun.
Sepse historia nuk fal ata që nuk mësuan prej saj.
Würzburg, 15 korrik 2026
Milaim Halimi Mesamali