S’ndalet Meta, e nis mëngjesin me thirrje: Banda e Rilindjes po përdhunon Kushtetutën

Presidenti i vendit, Ilir Meta edhe mëngjesin e sotëm e ka nisur me thirrje ndaj popullit që të bashkohen më 2 mars për të protestuar.

Meta ka vijuar me thirrjet e tij kundër qeverisë së Kryeministri Rama, duke e quajtur një bandë që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën.

Në fund Meta ka ashpërsuar tonet duke thënë se nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie. Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve!” shkruan Meta.

Top Channel