Dimitrov dhe Di Majo pa diagnozë të saktë për çeljen e negociatave

Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij italian Luixhi Di Majo në një konferencë për media u treguan të kujdesshëm për të dhënë diagnozë të saktë nëse vendi në mars do të marrë datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Di Majo tha se sot do të udhëtoje për në Paris ku tek homologu i tij francez do të negocioje për Maqedoninë e Veriut për aderim të vendit në familjen evropiane.

“Të garantojmë shpejtësinë me të cilën Bashkimi Evropian do të lëvizë është shumë gjë ambicioze. Jemi 27 shtete, të gjithë duhet të vendosin por angazhimi ynë është në drejtimin që e gjithë kjo do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Pra edhe për metodologjinë e re edhe për fillim të negociatave. Nuk guxon të zvarritet hapja e negociatave sepse bëhet fjalë vetëm për vullnet politik”, deklaroi Di Majo.

Nikolla Dimitrov me fjalën e urtë popullore “Kur digjesh nga qumështi i fryn edhe kosit” e shpjegoi eksperiencën e vendit me BE-në, duke shtuar se tani vendi duhet të jetë më i kujdesshëm dhe i përmbajtur.

“Sipas përvojës së deritanishme, qershor 2018, qershor 2019, tetor 2019, do të ishte shumë shumë e guximshme të kemi diagnozë precize. Siç thotë populli ne tash duhet t’i fryjmë edhe kosit. Shihet se metodologjia e re mundëson sinjale pozitive, që pastaj vijon raporti i Komisionit Evropian edhe për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut dhe mendoj se do të jetë një gabim i madh strategjik nëse atë shans nuk e kapim edhe ne por edhe vetë BE”, theksoi Dimitrov.

Di Majo përveç takimit me homologun e tij Dimitov, do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Oliver Spasovski, ndërsa do të bisedojë edhe me liderë të partive politike.