Sela: Skandaloze heshtja e BDI-së për rastin Monstra

Shkup, 24 shkurt – Kryetari i partisë “Aleanca për Shqiptarët”, Ziadin Sela, e ka quajtur skandaloze heshtjen e BDI-së për rastin “Monstra”, pas vendimit të Gjykatës Penale e cila dënoi me burg të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq ndërsa të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim, shkruan gazeta LAJM.

Sela, tha se BDI-ja e cila thirret në legjitimitetin e shqiptarëve, nuk guxon të fshihet kur shqiptarët dënohen padrejtësisht, siç ndodhi në rastin e montuar nga politika “Monstra”. “Shqiptarët fatkeqësisht prej 18 vitesh janë të pambrojtur. Skandaloze është heshtja e atyre që thirren në emrin e legjitimitetit shqiptarë, që e vodhën atë legjitimitet. BDI nuk duket në këto moment askund, e ka futur kokën si struci. Kjo është e patolerueshme”, tha Sela në konferencën për media që u organizua në Kuvend.

Ai tha se vrasësit e pesë maqedonasve në vitin 2012 pranë Liqenit të Smilkovës, shëtiten të lirë kurse njerëzit e pafajshëm shkojnë në burg për llogari të lojërave të ndryshme politike. “Ka ardhur koha që Zaevi të ikën nga pushteti sepse pikën e moralit nuk e ka që të qendrojë në krye të Qeverisë ku erdhi me mashtrimin se do të zbardhte proceset e montuara, pasi thoshte se njerëz të pafajshëm qendrojnë në burg për rastin “Monstra”, u shpreh Sela.

Më tej, Sela tha se zbardhja e rasteve të montuara mund të ndodh vetëm përmes zgjidhjes që e ofron koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, përmes rihapjes së të gjitha këtyre proceseve nga gjykatës dhe prokurorë nga vendet e Bashkimit Evropian. “Urgjentisht ftojmë vendet e BE-së, që të sjellin grupin e gjykatësve dhe prokurorëve ekspertë që do t’i rihapin edhe një herë rastet e montuara politike kundër shqiptarëve, përfshirë edhe “Monstrën”. Të rihapen edhe rastet ku ka amnisti dhe ka shkelje të rënda penale. Vëtëm kështu kthehet besimi tek qytetarët. Duhet t’i largojmë nga sistemi gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, që i përshtaten çdo sistemi, çdo partie që vjen në pushtet”, u shpreh Sela.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi në daljen e tyre të përbashkët para opinionit të mërkurën nga Qendra për media në Kuvend e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Penale për rastin “Monstra” si skandaloz. Liderët e partive opozitare shqiptare thanë si ky rast paraqet proces të montuar politik. “Skandaloz vendimi ashtu siç pritej vendimi i Gjykatës Themelore në Shkup në lidhje me procesin e montuar politik të Monstrës. Qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar dhe duhet të shqetësohen, sepse jetojmë në një shtet që udhëhiqen nga një kryeministër për të cilin fjala publike nuk kishte pasur asnjë vlerë”, tha mes tjerash Sela. “Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur pas gjykimit skandaloz që ndodhin me rastin e montuar “Monstra”. Në këtë proces të montuar politik, unë mund të konstatoj lirshëm se shteti dhe gjykatat e këtij vendi kanë dështuar plotësisht që ta sjellin drejtësinë dhe të shpalosin të vërtetën”, theksoi Gashi./Gazeta LAJM