Skandali me Drisllën, partitë përplasen për përgjegjësinë

Pushteti dhe opozita vazhdojnë me akuzat e ndërsjella për trajtimin e mbeturinave medicinale që deponohen në deponinë Drislla. Ata gjithashtu akuzojnë njëra tjetrën edhe për atë se i kujt është biznesmeni Sasho Jakimovski, njeri nga pronarët e kompanisë Eko Klub. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se funksionarët e LSDM-së duhet penalisht të përgjigjen për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve dhe ndotjes së ambientit dhe ajrit, pasi siç thonë, kompania Eko Klub të cilën LSDM-ja u përpoq ta lidhë me VMRO-DPMNE-në, në fakt ka fituar shumë tenderë pikërisht nga Qeveria e LSDM-së.

Vetëm në vitin e fundit mbi 60 kontrata janë lidhur për tenderë mes kompanisë Eko Klub nga Manastiri dhe institucioneve shtetërore në vlerë prej mbi 130 milionë denarë. Ndërmarrja publike Rrugët shtetërore, Ministria e mbrojtjes, Ministria e shëndetësisë dhe shumë institucione tjera i kanë ndarë tenderë kompanisë Eko Klub SHPKNJP nga Manastiri- deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE

Dje nga LSDM-ja akuzuan se VMRO përmes njerëzve të tyre në Prokurori e pengojnë punën dhe hetimin për këtë rast. Pohojnë se prokurorja në këtë lëndë, e cila sipas tyre, dy muaj nuk u ka prononcuar për hetimin, është kuadro e VMRO-DPMNE-së. Alsat M sot deri tek pronari i kompanisë Eko Klub dërgoi disa pyetje për të komentuar akuzat e partive në fokusin e të cilave është pikërisht ai, nëse ka lidhje dhe me cilën parti është më i afërt, a punon kompania sipas standardeve, por pa përgjigje.

Rastin me kompaninë Eko Klub e cila deponon mbeturina medicinale në deponinë Drislla e zbuloi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov duke i publikuar video materialet e incizuara nga inspektori i Qytetit Mirosllav Bogdanovski, duke theksuar se mbeturinat janë trajtuar në mënyrë joadekuate. Pas kësaj, Prokuroria hapi procedurë parahetimore për rastin.

Alsat