Skandali Magyar Telekom: ra verdikti për hungarezët; radhën për të dhënë llogari e kanë bashkëpjesëmarrësit nga RMV

Shkruan: Arben Fetai

Kur drejtësia e kapur dorëzohet para SHBA-ve: hajnat e “Magyar Telekom”-it, do të përgjigjen herët apo vonë.

Këtë javë, një vendim gjykate që do duhej të kishte qenë termet politik, kaloi thuajse në heshtje në mediat tona. Pas një procesi gjyqësor njëdekadësh, Gjykata penale e Shkupit, më në fund, mori vendim për skandalin “Magyar Telekom”. Tre përfaqësuesit e kompanisë hungareze u dënuan në mungesë, me tetë vjet burg dhe gjobë prej një milion euro.

Në pajtueshmëri me vendim e rregullatorit amerikan (sepse, nuk kishte rrugëdalje tjetër para fakteve të qeverisë së SHBA-ve), hungarezët u dënuan, sepse iu dhanë miliona euro ryshfet zyrtarëve më të lartë të partive në pushtet, për të ruajtur monopolin e tyre në tregun e telefonisë mobile.

Por nëse dikush është dënuar për dhënie të faktuar të ryshfetit, logjika e shëndoshë kërkon që tani të dënohen edhe ata që e morën këtë ryshfet. Ndonëse nuk e dimë se kush e ka inicuar këtë rast korruptiv, ata që kanë dhënë apo ata që kanë marrë, një gjë është e sigurt: për tango duhen dy, pra nuk ka ryshfet nëse nuk janë dy palë.

Tani, ata që kanë marrë ryshfetin, e kanë radhën të japin llogari përndryshe vendimi i kësaj jave, humb çdo kuptim. Mbase, në mënyrë krejt naive, mund të presim që SHBA-të, si iniciatorë të këtij rasti, t’ia ndihmojnë pak drejtësisë sonë të kapur duke futur në Listë të zezë ryshfet marrësit, të cilët njihen botërisht, me emër dhe mbiemër.