Suhejb MEMEDI
Në takimin me kryeministrin, kur ngritëm kërkesën për mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, ai iu referua paragrafit 91 të Opinionit të Komisionit të Venecias CDL-AD(2019)033.
Por çfarë thotë realisht ky paragraf?
Paragrafi 91 kërkon që autoritetet të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin e kërkesave gjuhësore të Ligjit të vitit 2008 në procedurat gjyqësore dhe që shteti të investojë në përgatitjen e përkthyesve dhe interpretuesve të kualifikuar.
Aty nuk thuhet askund se Provimi i Jurisprudencës duhet të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase. Nuk ka asnjë ndalim për mbajtjen e tij në gjuhën shqipe. Për më tepër, paragrafi 91 nuk trajton drejtpërdrejt organizimin e këtij provimi profesional.
Është e rëndësishme të theksohet se paragrafi 90 trajton kapacitetet për zbatimin e dispozitave të reja të dygjuhësisë në procedurat gjyqësore. Por as ai nuk vendos ndalim të përgjithshëm për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Ndërsa në Opinionin CDL-AD(2025)013, paragrafi 52, Komisioni i Venecias sqaron se standardet ndërkombëtare janë standarde minimale dhe se shtetet mund të garantojnë të drejta më të gjera gjuhësore, me kusht që të mos pengohet funksionimi i duhur i drejtësisë dhe të sigurohen burimet e nevojshme.
Këtu lind një pyetje e thjeshtë: A duhet të interpretohen opinionet juridike në tërësi apo vetëm të përzgjidhen paragrafët që i përshtaten një qëndrimi?
Ta zëmë se në një opinion të Komisionit të Venecias do të gjendej një paragraf që mund të interpretohej sikur Shkupi nuk i përket Maqedonisë së Veriut. A do të ishte e drejtë që kryeministri të mbështetej vetëm në atë paragraf, pa shqyrtuar dokumentin në tërësi dhe pa marrë parasysh Kushtetutën dhe ligjet?
Ne kemi Kushtetutën, kemi Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe kemi një ligj që e përcakton Provimin e Jurisprudencës si vlerësim të aftësive profesionale të juristëve.
Nuk kërkojmë privilegj, as ulje të kritereve profesionale. Kërkojmë të njëjtin program, të njëjtat pyetje, të njëjtin vlerësim dhe të njëjtin standard profesional, por edhe në gjuhën shqipe.
Gjuha nuk duhet të jetë pengesë për vlerësimin e njohurive juridike. Kushtetuta dhe ligjet nuk janë vetëm për t’u cituar, por për t’u zbatuar!
🇦🇱🇦🇱🇦🇱



