Skandal: Në shekullin 21 posta ia vonon 3 muaj letrën nga Amerika profesorit Arbër Çeliku, ai akuzon “gestapon partiake”

Gati tre muaj janë nevojitur që një letër nga Universiteti Northern Ilionis t’i arrijë në adresën e shtëpisë profesorit Arbër Çeliku nga fshati Cërvicë i Kërçovës. Sipas tij është e palogjikshme që në shekullin 21 letrat të arrijnë më ngadalë se para 200 viteve.

Ai dyshon se vonesa është e qëllimshme dhe se posta e tij kontrollohet nga “gestapoja partiake”. Për këtë arsye apelon tek ambasadat perëndimore që të reagojnë lidhur me këtë skandal.

“Unë në vazhdimësi kam shkruar për një vizion më të mirë shoqëror, pa anuar politikisht, por ja që njëmendësisë fashiste kjo nuk i shkon përshtat. Është hera e tretë, që posta ime nga jashtë shtetit po mbahet më muaj nga GESTAPOJA partiake-shtetërore, sikur unë të isha armiku më i madh i këtij shteti. Nga SHBA-të letra në emrin tim, siç shihet në foto, është lëshuar me postën amerikane më 10 mars, kurse unë e marr dje, më 17 maj…
I bëj thirrje qeverisë së RMV-së, Ambasadës së SHBA-ve, të Gjermanisë dhe gjitha organizmave ndërkombëtare në RMV të ndërmarrin masat e duhura që GESTAPOJA partiake-shtetërore të më lërë të qetë në punën time akademike-shkencore!
Fjalën e lirë, por edhe shpirtin progresiv nuk ka mundur askush ta ndrydhë, aq më pak do të munden këta miniaturat SS, që partia i ka për një përdorim.
Unë veçse ndiej dhimbje për mjerimin e tyre, asgjë më shumë”, ka shkruar profesori Arbër Çeliku.
Në një deklaratë për gazetën Lajm, ai thotë se kjo nuk është hera e parë që i ndodhë një vonesë e tillë.
“Është hera e katërt që më ndodh e njëjta gjë brenda një viti e gjysmë. Tani mu vonua tre muaj, herën e kaluar një letër tjetër mu vonua 6 muaj. Kjo më shkakton vështirësi sepse kalojnë terminet dhe digjen projektet në të cilat jam i ftuar”, thekson profesori Çeliku.
Probleme të ngjashme me postën në të kaluarën pasur edhe mediumet, duke përfshi edhe gazetën Lajm. Problemet janë evituar pas reagimeve të diplomatëve.