Skandal/ Ndërtimi i kullave në qendër të Tiranës, dëmtohet edhe Minarja e Xhamisë

Pas skandalit të përgjimeve italiane ku dëgjohej se si bosët e Ndragetas do paguanin 20 % rryshfet për të ndërtuar kulla në Tiranë, një tjetër bombë ka plasur për dyshen Rama -Veliaj. Kompania që po ndërton një kullë ngjitur me bashkinë dhe sahatin dyshohet se ka krisur minaren e xhamisë së Tiranës, një monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1947. Në rrjetet sociale shfaqen një sërë fotosh ku duket se si ka marrë krisje minarja. Dhe këto të çara nuk janë as si pasojë e tërmetit dhe as dëmtime të vjetra. Faktin se dëmtimet janë të kohëve të fundit e ka nënvizuar edhe arkitekti Titi Seranaj. Ai ka publikuar një dokument ku shihet projekti i rikonstruksionit të xhamisë.

“Megjithse prej shumë kohësh i është nënshtruar procesit të restaurimit, në projekt nuk është i pasqyruar detaji për ndërhyrje në këtë pjesë, pra dëmtimi është i kohëve të fundit” ka nënvizuar ai. Sipas arkitektit “e gjitha është pasojë e punimeve me mjete të rënda për realizimin e katër kateve nëntokë”.

Aty punohet me pilota që kanë shkaktuar lëkundje të forta tokësore, njëkohësisht dhe ndryshimet e ngarkesave për shkak të rëndesave të mëdha të betonit kanë shkaktuar ulje dhe për pasojë kanë dëmtuar minarenë.

Tani dy vite më pas, kur në mediat italiane po vlojnë përgjimet se Ndrageta po pastron paratë me ndërtimin e kullave në Tiranë, çdo kush mund të shohë me sytë e tij edhe dëmet që po i bën kryeqytrtit etja e shfrenuar për para.

Postimi i plotë i arktiektit Seranaj

Skandal!

Dëmtohet seriozisht minarja e xhamisë së Et’hem Beut në qendrën e Tiranës .

-Megjithse prej shumë kohësh i është nënshtruar procesit të restaurimit, në projekt nuk është i pasqyruar detai për ndërhyrje në këtë pjesë, pra dëmtimi është i kohëve të fundit.(shih fotot e projektit).

-Nuk është as pasoj e lëkundjeve të tërmetit të një viti më parë.Nëse do të qe kështu do të ishin marr masa të menjëhershme sepse dëmtimi është shumë serioz dhe kërkon ndërhyrje emergjente.

-E gjitha është pasojë e punimeve që janë kryer dhe po kryhen tek zona historike ngjitur me Sahatin e Tiranës dhe xhamisë së Et’hem Beut..

-Ndërhyrja me mjetet e rënda për realizimin e katër kateve nëntokë me pilota kanë shkaktuar lëkundje të forta tokësore, njëkohësisht dhe ndryshimet e ngarkesave për shkak të rëndesave të mëdha të betonit kanë shkaktuar ulje dhe për pasojë kanë dëmtuar minarenë.

Ky është shkaku!

-Ja përse zona historike nuk duhej të reduktohej, për t’iu hapur rrugë në këtë mënyrë ndërtimit të kullave shumëkatëshe pranë monumenteve të kulturës..

-Ja përse reduktimi i zonës historike pa një raport tekniko -shkencor nga këshilli kombëtar i restaurimit, siç e përcakton ligji sjellë këto pasoja të pariparueshme.

-Dhënia e lejeve me firmë të Kryeministrit për të ndërtuar kulla me parat e mafies në zonat e mbrojtura shkatërron trashëgiminë dhe monumentet tona historike.

Ky është një krim i pafalshëm.

Dikush duhet të mbaj përgjegjësi, dhe të ndëshkohet për këtë.

Shënim: Xhamia e Et’hem Beut gëzon statusin “Monument Kulture kategoria e l. shpallur më 17 mars 1948.