Skandal: Institucionet që i udhëheq BDI-ja kanë më pak të punësuar shqiptarë se kompanitë private!?

Ekspertët shqiptarë për çështje ekonomike e vlerësojnë si të rrejshme brengosjen e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për përfaqësimin e shqiptarëve në kompanitë private. Sipas tyre, po të jetë BDI vërtetë e brengosur për përfaqësimin e shqiptarëve, do të punonte për rritje të përqindjes në administratë shtetërore, në drejtoritë dhe ndërmarrjet me kapital shtetëror, siç janë MEPSO, ELEM, AKE, ku ka më pak shqiptarë të punësuar se në shumë kompani private.
Albet Hajredini, përmes një postimi në facebook, në mënyrë empirike e demaskon “brengosjen e rrejshme” siç e quan të BDI-së, për punësimin e shqiptarëve në kompanitë private.
“Në drejtoritë dhe kompanitë shtetërore në Maqedoninë e Veriut përfaqësimi i shqiptarëve është në nivel shumë më të ulët se në shumë kompani private dhe në disa prej tyre nuk e kalon as dy për qindëshin. Madje as drejtoritë e ndërmarrjet që udhëhiqen nga drejtorë e zëvendës drejtorë të BDI-së nuk mund të lavdërohen me ndonjë përfaqësim të shquar të shqiptarëve. Aty janë të punësuar vetëm djemtë e vajzat e funksionarëve të BDI-së, kurse shqiptarë në total ka shumë pak. Jo rastësisht, për të mbuluar turpin e përfaqësimit të ulët të shqiptarëve, BDI para 8 viteve, kur ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në ia mori kompetencat e deriatëhershme Avokatit të Popullit, për të monitoruar dhe për të raportuar lidhur me përfaqësimin adekuat në ndërmarrjet shtetërore”, thekson Hajredini.

Ai shton se me këtë sjellje, fatkeqësisht BDI me vetëdije po mundohet ta dobësojë pozitën e shqiptarëve në kërkesat e tyre për realizimin e plotë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit. Duke kërkuar përfaqësim në sektorin privat që nuk e rregullon ligji, BDI mundohet të devalvojë edhe kërkesat e shqiptarëve të bazuara në ligj e Kushtetutë për përfaqësim të plotë. Hajredini vlerëson se BDI nuk ka të drejtë morale të flasë për përfaqësim të shqiptarëve në kompanitë private, deri sa nuk del me të dhëna të sakta për përfaqësimin e shqiptarëve në drejtoritë, kompanitë dhe institucionet shtetërore.
“Marrëveshja e Ohrit vlen për institucionet shtetërore. Po të aplikohet aty përfaqësimi adekuat, në kompanitë private do të ndodhë vetvetiu. Sa më shumë shqiptarë të punësohen në institucione, drejtori e ndërmarrje shtetërore, aq më shumë klientë shqiptarë do të kenë bankat, kompanitë e telekomunikimit, si dhe kompanitë tjera private. Atëherë vetë ato do të punësojnë shqiptarë, sepse kjo do të jetë e leverdishme për ta, nuk do të ketë nevojë të kërkojë ndonjë parti. Kjo është logjika e mbarë që duhet ta përcjellë BDI. Mirëpo për shkak të aferave, incizimeve dhe skandaleve BDI nuk mund ta implementojë përfaqësimin adekuat në institucionet shtetërore, ku ka kompetenca, prandaj e kërkon te kompanitë private, ku nuk ka kompetenca. Në këtë mënyrë BDI sillet si te humori – i ka humbur unaza në terr, e kërkon në dritë, që t’i bëjë të bajatshme edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve”, thekson Hajredini, për të konkluduar:
“BDI është subjekt që pengon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, e jo parti që e ndihmon”.
Ai është i bindur se kjo nuk bëhet nga padija, por bëhet qëllimisht, për shkak të paragjykimeve etnike dhe fetare që kanë ndaj shqiptarëve disa figura të fuqishme të BDI-së, e që janë të ngjashme me paragjykimet e politikanëve maqedonas para vitit 2001 dhe gjatë periudhës 2006-2016.