Një rast i rëndë i dhunës në familje ka tronditur Manastirin, pasi një 21-vjeçare denoncoi partnerin për dhunë fizike, kërcënime me vdekje dhe keqtrajtim të vazhdueshëm. Por, në vend që të përfundonte në paraburgim, i dyshuari arriti të arratisej nga stacioni policor përmes një dritareje.
Vajza e denoncoi rastin më 10 nëntor, duke deklaruar se për rreth një vit e gjysmë kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Pas sulmit të fundit, ajo kërkoi ndihmë mjekësore për lëndimet në kokë, fytyrë dhe qafë.
Sipas MPB-së, i dyshuari ishte paraqitur vullnetarisht në polici, i shoqëruar nga një prind, por u arratis në momentin kur iu komunikua se do të ndalohej.
Ndërkohë, 21-vjeçarja është strehuar në një qendër të sigurt, ndërsa nëna e saj ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, për të mbrojtur jetën e së bijës.
Seanca gjyqësore është caktuar për 18 nëntor, ndërsa kontrolli i brendshëm i MPB-së po heton rrethanat e arratisjes dhe përgjegjësinë e mundshme të policëve.





