S’ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim mbulimin direkt të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni të përmbledhur gjithë atë që ndodhi gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit të ri:

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.

LVV-ja më 27 prill tërhoqi dy kandidatët e parë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun, dhe më pas se një orë më vonë kandidoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Mes akuzave për “puç kushtetues”, për shkak se më 27 prill, LVV-ja mbajti një rund votimesh për Rushitin dhe Hoxhën, përplasjet mes LVV-së dhe partive opozitare vazhduan gjatë gjithë 28 prillit.

Opozita i kundërshtoi edhe kandidaturat e reja dhe nuk mori pjesë në asnjë seancë për presidentin, as më 27 prill e as gjatë së martës.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbrëmjes së 28 prillit i kërkoi Lidhjes Demokratike të Kosovës të sillte 15 nënshkrime dhe një emër për kandidat për president, për të kandiduar kundër kandidates së tij, Feride Rushitit.

Ai tha se do t’ia plotësonte nënshkrimet, pasi kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, ishte pajtuar të tërhiqej.

LDK tha se ka 15 nënshkrime për kandidatin e saj – duke mos treguar emrin – por tha se kryeministri Albin Kurti po kërkonte një kundërkandidat që të bëhet kuorumi në mënyrë që Rushiti të zgjidhej presidente.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti – në këtë rast LVV – t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.

Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.

Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Kushtetuesja tha se deputetët kishin afat 34 ditë – pra deri më 28 prill – që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.

Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

Kurti më pas mbajti disa takime me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por ato nuk sollën ndonjë marrëveshje.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.

Faleminderit që na ndoqët!

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ish-presidentja Vjosa Osmani, “me siguri” mund të jetë kandidatja e partisë për presidente.

Ai u pyet nëse do të jetë kandidate për kryeministre, por Abdixhiku tha se Osmani mund të propozohet pas zgjedhjeve për postin e presidentit.

“Me siguri do jetë dhe mund të jetë kandidate për presidente, por për këtë çështje më lejoni që të diskutoj me të, meqenëse nuk është subjekt i sotëm prezent këtu, nuk është as korrekte”, tha ai në një konferencë për media.

Gjatë konferencës, ai përsëriti qëndrimin se LVV-ja e pa Osmanin si “kuorum” e jo si person për ta zgjedhur president.

“Ajo çfarë do bëjmë ne si LDK, do të bëjmë bashkimin e madh të së djathtës brenda LDK-së për të dhënë një alternativë serioze për vendin, për të mos pasur skena si sonte çfarë i pamë, për të mos pasur tentim që përkundër mungesës se kuorumit të nisë procesi i votimit dhe kështu të provohet përmbysja e rendit kushtetues”, tha Abdixhiku.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se me shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri, “shpëtoi demokracia”.

Ai tha se deri te kjo situatë erdhi për shkak të “mllefit” të kryeministrit Albin Kurti, që sipas tij, “buron nga nevoja e tij për të pasur pushtet”.

“Sot shpëtoi demokracia në Kosovë që është fituar me mund, sakrificë dhe gjak. Sot fitoi Kosova. Sot nuk ju nënshtruam diktatit të numrave. Sot ne e zmbrapsëm një opsion politik që ishte recidivist në shkeljet kushtetuese”, tha ai gjatë një konference për media.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se vendi po shkon në zgjedhje sepse LVV-ja kërkoi që partia e tij të nënshtrohej për çështjen e presidentit. Ai tha se kryeministri Albin Kurti e refuzoi kandidimin e ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilën, sipas tij e pa vetëm si “kuorum”.

“Vjosën, presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për presidenten e tyre ‘karate’. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, shkroi ai në Facebook.