S’ka më punëtorë për 10 euro në ditë!

Të rinjtë braktisin vendin për shkak të nënçmimit që u bëhet gjatë kërkimit të një vendi pune. Të posa diplomuarve nuk u jepet një ofertë e denjë pune krahas nivelit të arsimimit dhe kjo është arsyeja kryesore që ata heqin dorë nga familja dhe ia mësyjnë shteteve të Perëndimit. Ky është vlerësimi i hulumtimit të bërë nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”. Studiuesi për ndryshime demografike në Ballkanin Perëndimor, Nikica Kolar, tha se në Maqedoninë e Veriut nuk ka më punëtorë, të cilët punojnë për 10 euro në ditë, jo vetëm punë fizike, por qoftë edhe punë zyrash nëpër firmat private.

Të rinjtë më së tepërmi ikin nga vendlindja e tyre sepse nuk mund të gjejnë punën konform nivelit të arsimimit të tyre…Kur Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, në dy vitet e para do të ikin shumë të rinj nga këtu. Kjo i ka ndodhur Estonisë, Sllovenisë dhe Kroacisë. Në Kroaci në 5 vitet e para pas anëtarësimit kanë emigruar mbi 200 mijë persona, shumica prej tyre të rinj”-tha Nikica Kolar, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Nga ky institut thonë se jo vetëm të papunët braktisin vendin. Jelka Klemenc thotë se korrupsioni në institucionet publike dhe mobingu nga të punësuarve në sektorin privat janë ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë eksod të kuadrove profesionale, dhe kështu vendet si Gjermania, Austria dhe të tjera marrin të gatshëm të punësuar të kualifikuar nga vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Unë mendoj se mobingu ndaj të punësuarve është faktori kryesorë që nuk duhet të anashkalohet. Ky faktorë ndërmjet kuadrove profesionale ka bërë që të rinjtë e rajonit drejtohen vendeve të BE-së. Debati i sotshëm vuri theksin në raportet e të punësuarve në sektorin publik dhe privat, të cilët heqin dorë nga vendet e punës dhe priten krahëhapur në shtetet Perëndimore”-pohoi Jelka Klemenc, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2018 nga Maqedonia e Veriut kanë emigruar mbi 12% e popullsisë. Kjo shifër është konstante në dekadën e fundit, duke llogaritur shpërnguljen jashtë vendit nga 2.082 banorë për çdo milion të popullsisë. Studimi i tyre tregon se vendi ynë ka numrin më të lartë të papunësisë në rajon me 21,55%, kurse mosha mesatare e emigrimit është 35 vjeçe./Alsat