S’ka as shtrëngime duarsh, FFK-ja tregon masat për koronavirusin

Federata e Futbollit e Kosovës e ka konfirmuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, përderisa shtoi se ndeshjet e grupmoshave më të reja do të suspendohen plotësisht, ndërsa lojtarët seniorë janë rekomanduar të mos ua shtrëngojnë duart lojtarëve para ndeshjeve.

Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të gjitha aktivitetet sportive që do të mbahen në Kosovë deri më 27 mars do të mund të zhvillohen por pa praninë e shikuesve, transmeton Gazeta Express.

Koronavirusi ka shkaktuar ndërprerje të disa ndeshjeve edhe në shtetet e njohura në Evropë, ku në Itali janë ndërprerë të gjitha këto aktivitete deri në muajin prill.

Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Inovacionit, Vlora Dumoshi, tha se ngjarjet sportive nuk do të ndalohen, por do të ndalohet pjesëmarrja e shikuesve.

Tani, Federata e Futbollit e Kosovës e ka konfirmuar këtë vendim, duke thënë se përderisa ndeshjet në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa tifozë, ndeshjet në kategoritë e juniorëve dhe grupmoshave të reja do të pezullohen përkohësisht, përderisa as lojtarët s’do të përshëndeten me duar para ndeshjeve.

“Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave”.

“Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që të bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore”.

“Po ashtu si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet tjera evropiane rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”.