Klopp, pas eliminimit nga Championsi: S’e fajësoj portierin, por ai gaboi

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka pranuar se gabimet e bëra nga portieri Adrian i kushtuan skuadrës së tij, mirëpo tha se nuk do ta fajësojë atë për eliminimin nga Liga e Kampionëve.

Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolit me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara, transmeton Gazeta Express.

Goli i shënuar nga Georginio Wijnaldum në pjesën e parë të ndeshjes bëri që fituesi të vendoset në kohën shtesë. Roberto Firmino e dyfishoi epërsinë e anglezëve vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, që bëri që tifozët vendas ta festojnë atë gol si fitore.

Megjithatë, festa s’u zgjati shumë pasi që Atletico Madridi e përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuara nga Marcos Llorente dhe një gol të shënuar afër fundit nga Alvaro Morata, për ta fituar përballjen me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Adrian e kishte bërë gabimin e madh që çoi deri te goli i parë i Llorentes. Klopp e pranon se rezultati mund të kishte qenë ndryshe nëse Adrian s’do ta kishte bërë atë gabim, mirëpo nuk deshi ta fajësojë portierin që po e zëvendëson Alissonin e lënduar.

“Të gjithë që e panë ndeshjen e dinë se mund të kishte qenë shumë më ndryshe. Më pëlqen shumë 90 minutat e para”, ka thënë Klopp.

“Gabimi ynë i vetëm ishte se e shënuam golin e dytë shumë vonë. Mua më pëlqeu shumë futbolli që e luajtëm. U shkaktuam atyre shumë probleme”.

“Ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme… pasimi nga Adriani s’ishte i tillë. E dua shumë djaloshin, por ishte vendimi i gabuar. Pastaj ata e patën të lehtë ta sigurojnë fitoren nga ajo situatë”.

“Ne nuk do ta fajësojmë atje. Ai është burrë dhe e di se ka bërë gabim. Ne nuk do ta gjykojmë atë”.