Situata në veri, reagon Haradinaj: Sulmi ndaj policisë akt i rëndë, koordinimi me aleatët i paalternativë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. 

Haradinaj ka thënë se sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune, ndërsa ka bërë thirrje tek serbët lokalë të mos bien pre e interesave politike të Vuçiqit.

“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bien pre e interesave politike të Aleksandar Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me aleatët.

“Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë”.

“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka apeluar tek të gjithë që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës.

“Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”, ka përfunduar Haradinaj.