Situata e COVID-19 gjatë dy javëve të fundit, ja ku qëndron Kosova krahasuar me vendet fqinje

Me konfirmimin e 519 rasteve të fundit të të prekurve me koronavirus, numri i përgjithshëm ka arritur në 43 mijë e 324 të infektuar me SARS CoV-2.

Si pasojë e infektimit me COVID-19, deri më sot në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 1 mijë e 120 persona.

Anembanë vendit janë 12 mijë e 774 raste aktive, teksa situata vazhdon të jetë mjaftë e vështirë  nëpër qendrat spitalore.

Janë gjithsej 691 pacientë të konfirmuar me COVID-19 të cilët po marrin trajtim shëndetësorë në klinika dhe spitale në nivel vendi, por nëse situata e përgjithshme krahasohet me vendet fqinje, Kosova del të jetë ndër shtetet me rrezik më të ulët gjatë dy javëve të fundit.

Numrin e rasteve pozitive me virusin SARS-CoV 2 për dy javët e fundit në 100.000 banorë Kosova del ta ketë 473.

Bazuar në të dhënat e ECDC-së, apo qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, situatën më të mirë me koronavirus gjatë këtyre javëve e pati Shqipëria dhe Greqia, transmeton lajmi.net.

Por pavarësisht kësaj, Kosova pati një numër të madh të vdekjeve, në dy javorin e fundit, ku numri kumulativ i rasteve të vdekjeve në nivel vendi shkoi në 10.6 në 100.000 banorë.

Shteti që pati më së shumti raste pozitive në ditët e fundit është Serbia.

Ndryshe nga muaji mars deri më sot janë testuar gjithsej 154.084 qytetarë anembanë Kosovës, teksa Prishtina vazhdon të jetë komuna me më së shumti persona të infektuar me koronavirus,  ku rastet aktive kanë arritur në 5 mijë e 806.

Për shkak të rritjes së rrezikut si pasojë e këtij virusi, Qeveria e Kosovës në masat e fundit të ndërmarra para disa javëve ndau komunat në bazë të rrezikshmërisë. Shumë prej komunave vazhdojnë të funksionojnë me orë policore, derisa nuk dihet nëse këto masa do të jenë të njëjta edhe gjatë ditëve të fundit të vitit.

Gjithashtu duhet përkujtuar se Kosova dje ka aplikuar zyrtarisht për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.