Sistemi informatik i SHA Posta e Maqedonisë së Veriut tashmë tri ditë është jashtë funksionit për shkak të një defekti në infrastrukturën serverike, njoftoi në Facebook drejtoresha e përgjithshme për Marketing dhe shitje në Postat e Maqedonisë, Hatije Azizi Etemi, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, për momentin ende nuk dihen shkaqet e defektit dhe nuk mund të konfirmohet nëse ai është shkaktuar nga moti i keq apo nga ndonjë faktor tjetër.
Nga Posta bëjnë të ditur se pas rikthimit të plotë të sistemit do të realizohet një analizë e detajuar për të përcaktuar shkakun e defektit.
“Për momentin, shkaqet e defektit ende nuk janë të njohura dhe nuk mund të thuhet se ai është shkaktuar nga moti i keq apo nga ndonjë shkak tjetër konkret. Pas rikthimit të plotë të sistemit do të realizohet një analizë e detajuar për përcaktimin e shkakut të defektit”, shkroi Hatije Azizi Etemi.
Ndërkohë, shërbimet profesionale të kompanisë, në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm, po punojnë intensivisht për rikthimin e plotë të sistemit informatik në funksion. Siç theksohet në komunikatë, prioritet mbetet rikuperimi i sigurt i sistemit, pa humbur asnjë të dhënë.
“Ndërkohë, shërbimet profesionale të SHA Posta e Maqedonisë së Veriut, së bashku me ekspertë të jashtëm të angazhuar, po punojnë intensivisht për rikthimin e plotë të sistemit informatik në funksion. Prioriteti kryesor është rikuperimi i sigurt i sistemit pa humbur asnjë të dhënë”, thuhet në njoftim.
Posta e Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe durim, duke premtuar se opinioni do të informohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm.



