Sistemet që kërcënojnë seriozisht lirinë e shprehjes!

Nga Leons Hasani

Baza dhe themeli kryesor i një shoqërie demokratike është liria e shprehjes, dhe liria e medias për të raportuar e pandikuar nga askush. Si asnjëherë më parë vendet demokratike kanë njohur gjatë dy dekadave të fundit një zhvillim revolucionar përsa i përket lirisë së shprehjes, të drejtës për t’u informuar dhe lirisë së medias. Pararojë e kësaj qasjeje kanë qenë historikisht vendet me demokraci të konsoliduar. Në botën perëndimore zhvillimet teknologjike bashkë me kanalet e informimit janë vënë në shërbim të një kauze madhore, siç është ajo e mbrojtjes së të drejtave të njeriut me çdo kusht.

Por çfarë ndodh sot në vendet me demokraci të brishtë, në vendet komuniste dhe ato totalitare? Sa të lirë janë qytetarët për t’u shprehur, dhe media për të raportuar në këto vende? Po Shqipëria, sa rrezikon të ndikohet nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm të sistemeve komuniste e totalitare?

Shqipëria si vend kandidat për t’u bërë pjesë e familjes europiane ka një sërë detyrash për të përmbushur në raport me lirinë e shprehjes dhe të medias. E për t’i zgjidhur këto probleme ajo duhet të orientohet kah vlerave europiane dhe të aplikoj praktikat më të mira për t’u garantuar qytetarëve të saj, lirinë e fjalës, të drejtën për t’u shprehur ndryshe, si dhe lirinë e medias.

Shqipëria, dhe i gjithë ballkani perëndimor përveç problemeve të brendshme që lidhen me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ato sot përballen edhe me presionin e modeleve totalitare që mundohen të eksportojnë vlerat e sistemeve komuniste në gjithë rajonin e ballkanit.

Interesante është të shohim sesi Kina një vend komunist, me një udhëheqje gati gati totalitare, mund të ndikoj negativisht me modelin e saj lirinë e shprehjes dhe të medias në shtetet e ballkanit.

Përse e them këtë dhe ku e bazoj?
Mjafton të analizojmë sistemin autokratik që ka ngritur shtetit Kinez për të kontrolluar me detaje dhe në çdo qelizë jetën e qytetarëve e të medias për të kuptuar realisht mungesën e demokracisë dhe mungesën e lirisë për t’u shperhur.

Raportet e dala për lirinë e shprehjes dhe të medias, nga çdo institucion serioz dhe kompetent për këtë fushë konstaton dhe vlerëson se problemet themelore në Kinë janë:
a) presionet e vazhdueshme qeveritare për të shtetëzuar dhe kontrolluar median,
b) monopoli mediatik;
c) presioni direkt dhe indirekt ndaj gazetarëve;
d) cënimi i fjalës së lirë dhe shprehjes së mendimeve nga ana e qytetarëve;
e) censura dhe autocensura;
f) intimidimi i gazetarëve investigative;
g) sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe qytetarëve të cilët protestojnë për të drejtat themelore të njeriut;
h) zhdukja e gazetarëve dhe vrasjet e tyre.

Në një shtet ku mbizotëron modeli komunist dhe pikërisht ky model manifestohet në gjithë jetën publike të vendit si arritje, aty mund të presësh çdo gjë tjetër përveçse demokracisë. Rasti Ujgurëve është një tjetër shembull sesi Kina po abuzon me të drejtat e njeriut, dhe nga ana tjetër nëpërmjet propagandës mediatike dhe kontrollit të plotë të saj mundohet ta cilësoj atë si një ngjarje të parëndësishme, madje shpesh herë ta quaj atë edhe si të pavertetë.

Gjithësecili prej nesh duhet të kuptojë që manipulimet mediatike që bënë çdo qeveri nuk janë vetëm në dëm të qytetarëve dhe kundër interesave të vet shtetit në fjalë, por mund të shnëdrohen edhe në kërcënime reale për vendet me demokraci të brishtë ose me ekonomi të dobët.

Influencat e vendeve të huaja (që i përkasin sistemeve jodemokratike) në Shqipëri dhe në të gjithë ballkanin perëndimor, sot duhen parë më shumë se kurrë me vëmendje e interes maksimal nga institucionet përkatëse, por edhe nga aleatët tanë strategjik. Sepse çdo shoqëri, pa lirinë e shprehjes dhe të medias është një shoqëri e burgosur, e cila e ka shumë të vështirë për ta rifituar edhe njëherë lirinë dhe demokracinë e saj.