Ministri i Mbrojtjes i Sirisë, Murhaf Abu Qasra, u ka bërë thirrje grupeve të armatosura të vogla, të cilat ende nuk i janë bashkuar aparatit shtetëror të sigurisë, që të bëjnë një gjë të tillë brenda dhjetë ditëve ose do të ballafaqohen me masa të pasaktësuara, në përpjekje për ta konsoliduar autoritetin shtetëror gjashtë muaj pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.
Një sasi e madhe e armëve jashtë kontrollit qeveritar ka paraqitur sfidë ndaj përpjekjeve të presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa, që ta vendosë kontrollin, pasi grupet që e përkrahin dhe që e kundërshtojnë ata ende mbeten të armatosura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën vonë, ministri Qasra tha se “njësitet ushtarake” tashmë ishin integruar në “një kornizë të unifikuar institucionale”, duke e cilësuar këtë si arritje të madhe.
“Ne e theksojmë nevojën që grupet e vogla ushtarake që kanë mbetur t’i bashkohen ministrisë brenda një periudhe maksimale prej dhjetë ditësh nga data e këtij njoftimi, me qëllim që të kompletohen përpjekjet e unifikimit dhe organizimit” – shtoi ai.
Ministri sirian nuk tregoi se për cilat grupe e kishte fjalën. Sidoqoftë, deklarata nuk u duk si e drejtuar ndaj Forcave Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët e të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. SDF-ja më herët këtë vit nënshkroi një marrëveshje me Sharaan me qëllim të integrimit në institucionet shtetërore.
Damasku mori një shtytje të madhe diplomatike javën e kaluar, kur presidenti amerikan, Donald Trump, u takua me homologun sirian dhe njoftoi se sanksionet e vendit të tij ndaj Sirisë do të hiqen. Ministri i Brendshëm i Sirisë, Anas Khattab, tha se ky vendim do t’i mbështetë përpjekjet “për t’i konsoliduar sigurinë dhe stabilitetin dhe për ta promovuar paqen civile në Siri dhe rajon”.