Singapori do të testojë për koronavirus të gjithë punëtorët migrantë

Të 323,000 punëtorët e huaj që jetojnë në konvikte në Singapor, do të testohen për koronavirus, thanë autoritetet.

Singapori, i cili është marrë si shembull i luftës kundër koronavirusit, është goditur nga një shpërthim i madh i sëmundjes në mesin e punëtorëve migrantë.

Punëtorët, kryesisht nga Azia Jugore, jetojnë në konvikte të stërmbushura – shpesh nga 16 vetë në një dhomë.

Mijëra sish janë vendosur në karantinë, por qindra janë duke dalë pozitivë në testet për koronavirus.

Deri më tash, mbi 32,000 punëtorë janë testuar, apo 10 për qind e totalit.

Ministri i Zhvillimit Kombëtar, Lawrence Wong, tha se rreth 3,000 teste kryhen çdo ditë.

Singapori ka konfirmuar deri më tash 24,671 të infektuar me koronavirus – gati të gjithë punëtorë migrantë – dhe 21 viktima.