BE-ja godet Rusinë me sanksione të reja, 113 persona dhe kompani në listën e zezë – miraton afro 8 miliardë euro për Ukrainën

Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar një valë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë 113 persona dhe subjekte juridike, ndërsa njëkohësisht ka aprovuar afro 8 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën.

Masat e reja kufizuese përfshijnë 12 individë dhe 101 kompani e institucione, mes tyre afro 50 banka ruse, kompani të sektorit të naftës dhe subjekte të lidhura me të ashtuquajturën flotë detare në hije të Rusisë.

Personave të përfshirë në listë u ngrihen asetet, ndërsa individëve u ndalohet hyrja në territorin e BE-së.

Në të njëjtën kohë, Këshilli i BE-së ka miratuar një pagesë rekord prej afro 8 miliardë eurosh për Ukrainën, në kuadër të mekanizmit „Ukraine Facility“. Këto mjete synojnë mbështetjen financiare dhe zbatimin e reformave në vend.