Sinan Vllasaliu për zhvillimet në muzikë: Demokracia nuk të jep lirinë me qenë ‘kreten’

Këngëtari i njohur kosovar Sinan Vllasaliu, ka folur në media, pas një heshtjeje të gjatë rreth zhvillimeve në muzikë dhe rreth tij.

Në ‘RADIO 1’, tek programi i Fitim Behlulit, Sinan Vllasaliu ka thënë, se jo pa-qëllim ka zgjedhur heshtjen ndaj dukurive që ai i quan tentim për ‘goditje të ulta’ por pa sukses.

“Jam i lumtur të flas në programe të mirëfillta, aty ku dëgjohet fjala dhe kënga shqip. Kam parë shtypin, mediat këto ditë e këto javë, dhe pa dashur të ndalem tek ngjarjet e përveçme, dua të them se nuk merrem me fluska, ua kam lëshuar rrugën. Në karrierën time çdo dhjetëvjeçar dalin disa fluska, nga të cilat tentojnë të rriten të tjerët. Demokracia nuk të jep lirinë me qenë edhe kreten. Në botën e civilizuar, në Amerikë, demokracinë e mbrojnë edhe me karrigë elektrike.’ – thotë Vllasaliu.

 

“Nëna ime e ndjerë thoshte ‘jeni çu peshë.’ – shtoi ai, pasi u pyet rreth krejt dukurive që po ndodhin në estradën kosovare, ku në raste, emri i tij është përdorur në media, nga të tjerë, e për çfarë Sinani është i bindur se kjo ka ndodhur vetëm, sa për të ja arritur që dikush të bëhet aktual duke dalë në TV.

“Nuk e kam në plan që karrierën time gati 50-vjeçare ta mas me klikime e me bomba të gazetarisë duke nxjerrë dhe bërë çdo gjë veçse të jesh prezent diku. Ajo gjë nuk më duhet, unë me krenari ia kam lëshuar rrugën këtyre dukurive dhe as që merrem me ta” – tha Vllasaliu në RADIO 1.

Tutje, këngëtari ka shtuar se secili profesion brenda origjinalitetit, duhet të ketë njerëzillëk. Ai madje shton se karrierën e tij a ka arritur vetëm me njerëzillëk dhe parime. Në gjykimin e tij, nga dukuritë e këqija që po ndodhin nga media dhe estradë, është vështirë të mbrohet arti, muzika e mirëfilltë, vlera e saj mirëpo edhe vet individi, artisti në këtë rast.

“Boksi është një sport shumë fisnik, megjithatë është shumë i vrazhdë. Mirëpo edhe brenda asaj fisnikërie dhe vrazhdësie ka disa rregulla, edhe aty ndalohen goditjet e ulëta. Kjo është edhe në muzikë, edhe këtu ka çdoherë gjakra të rinj e potentë që nuk kanë limite, mirëpo në raport me mua dhe karrierën time, besoj duhet të kenë” – shprehet këngëtari.

“Sot jetojmë në tendencën që të jesh sa më i pasjellshëm sepse je më ‘In’” -shton ai.

I pyetur rreth planeve të reja muzikore studike, këngëtari i qindra hiteve dhe i dashur për mijëra zemra ka paralajmëruar se është në realizim ideor të një kënge të re, mirëpo gjërat janë vështirësuar në këtë mes, pasi bashkëpunëtorët e mirëfilltë, krijuesit e tekstshkruesit po mungojnë.

“Jemi në një konfuzitet, kur kemi mungesë të madhe të teksteve të mira. Edhe muzika mungon, pra kjo po më ndalon shpesh, sepse me modesti po ju them, nuk mundem dhe vërtet nuk mundem për hir të publikut që më ka ndjek në kaq shumë vite, krejt karrierën time ta dorëzoj në këngë me dy takte, më e keqja që gjërat e këqija sot po bëhen hit. Nuk ka rregulla, njerëzit tallen dhe bëhen hit dhe ata mendojnë se janë te mençur”.

Të njejtin problem sipas Vllasaliut, e kanë edhe kolegët e tij.

Sinan Vllasaliu, ka shfrytëzuar intervistën në ‘RADIO 1’ duke kërkuar edhe njëherë ndjesë publike, për mospërmendjen e emrit të të ndjerit Hivzi Krasniqi, në koncertin e tij solistik të vitit të shkuar, ku këngëtari performoi me hitet e tij të karrierës.

‘Të gjithë kolegët e mi kanë problem sot me tekstet me tematikat. Janë shpenzu tekstshkruesit e mirë. Unë sot e kam problem të zgjedhë një tekst, kjo edhe për shkak të masës së madhe të teksteve që i kam. Gjithësesi i kam borxh dhe i kam shumë borxh Hivzi Krasniqit. Hivzi Krasniqi i ndjerë ka ndikuar shumë në karrierën time për të qenë ky që jam, ose thënë më mirë, nuk do isha ky pa Hivziun dhe investimin e tij në karrierën time. Në koncertin ku ishte në orkestrën e madhe edhe Sei nga Peja, mua më ka ikur një detaj i rëndësishëm duke mos u përmendur Hivziu në pjesën folore, ndaj edhe me krenari e respekt, e potencova këtë pjesë edhe këtu” – tha Sinan Vllasaliu në ‘RADIO 1’.