Simeone hedh dyshime mbi të ardhmen e tij tek Atletico Madridi

Diego Simeone ka zbuluar se e ardhmja e tij te Atletico Madridi do të varet nga mënyra se si klubi do ta përfundojë sezonin.
Atletico Madridi aktualisht ndodhet në vendin e katërt në La Liga, por e gjen veten dhjetë pikë prapa rivalit, Real Madridit dhe 13 pikë prapa liderit të ligës, transmeton lajmi.net.

Pas më shumë se një dekade në krye në “Civitas Metropolitano”, spekulimet janë të shumta se ish-mesfushori i Interit do të kërkojë një aventurë të re në fund të sezonit, por Simeone këmbënguli se nuk është marrë asnjë vendim.

“Kontrata ime varet shumë nga mënyra se si e mbyllim sezonin”, u tha gazetarëve.

“Çdo finale të sezonit ne mblidhemi për të parë se si do të vazhdojmë. Ky vit nuk do të jetë përjashtim”, tha më tej trajneri.

I pyetur për sqarime për komentet e tij, Simeone mbeti i paqartë:

“Është më komplekse se sa sugjeroni ju. Do ta mësoni kur të përfundojë sezoni se çfarë do të ndodhë”.

52-vjeçari bëri më shumë se 150 paraqitje për Atleticon në dy periudha në klub gjatë ditëve të tij si lojtar, përpara se të varte këpucët në vitin 2006 dhe të fillonte një karrierë si trajner.

Pas punës së trajnerit të disa skuadrave në Argjentinë dhe një qëndrimi të shkurtër në Itali, Simeone u kthye në klubin me të cilin fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit si lojtar në vitin 2011.