Siljanovska-Davkova: Evropa duhet të jetë një bashkësi vlerash dhe parimesh, jo i standardeve të dyfishta

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova iu drejtua sot pjesëmarrësve të shkollës verore “Re:Europe: Rimendimi i Evropës së Bashku”, një projekt i financuar nga Zyra e Miqësisë Franko-Gjermane, i zbatuar nga Instituti i Shkencave Politike i Parisit në Dijon dhe Universiteti Humboldt i Berlinit.

Në shkollën verore, e cila drejtohet nga profesori i Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani I”, Ivan Damjanovski, marrin pjesë studentë nga Gjermania, Polonia, Izraeli, Bullgaria, Franca, Sllovakia, Luksemburgu dhe Ukraina, përveç studentëve nga vendi.
Së pari, Siljanovska-Davkova kujtoi idetë e shumta për bashkimin evropian. Pastaj, ajo theksoi vendosmërinë e etërve themelues për t’i dhënë fund luftërave duke formuar Komunitetin Evropian, paraardhësin e BE-së, të bazuar jo vetëm në parime dhe vlera ekonomike, por edhe në ato demokratike.

Për të, Konrad Adenauer dhe Robert Schuman, por edhe Alcide De Gasperi dhe Jean Monnet janë burra shteti, paqebërës të bindur fort. Komisioni franko-gjerman nuk u konceptua si një arenë politike për presion, por si një hapësirë demokratike për debat dhe mirëkuptim të tjetrit. Fatkeqësisht, përvoja maqedonase me komisionet ndërshtetërore është në stilin e Tukididit.
Duke përdorur shembullin e përvojave të ndryshme të integrimit evropian, ajo vuri në dukje mospërputhjen e politikës së integrimit evropian, shpërfilljen e kritereve të Kopenhagenit dhe akteve kushtetuese të komunitetit/bashkimit, si dhe praktikën e standardeve të dyfishta në procesin e zgjerimit.

Siljanovska tha se BE-ja duhet të reformohet për të qenë një sistem politik funksional dhe demokratik, por edhe të zgjerohet për të qenë një aktor konkurrues në skenën globale të ndërlikuar dhe të paparashikueshme.

Ajo theksoi se pengesa kryesore në këtë rrugë është konsensusi, si metodë vendimmarrjeje, por edhe abuzimi i vetos nga disa anëtarë, duke kushtëzuar negociatat dhe progresin me kompromise identiteti me natyrë revizioniste.