Siç paralajmëroi Trumpi, ShBA-ja nis sulme të reja kundër disa caqeve në Iran

Shtetet e Bashkuara kanë filluar sulme kundër disa caqeve në Iran për ditën e dytë rresht, tha të mërkurën Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.

Sipas Komandës Qendrore, këto sulme janë kundërpërgjigje ndaj “agresionit të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm të Iranit”, raporton televizioni CNN.

“Forcat e Komandës Qendrore të ShBA-së e filluan kryerjen e sulmeve shtesë të vetëmbrojtjes sot në orën 5:15 sipas zonës lindore amerikane kundër disa caqeve në Iran, me udhëzimin e komandantit suprem” – tha Komanda Qendrore në rrjetin X.

Më herët të mërkurën, presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se vendi i tij do të kryente një valë të re sulmesh ndaj Iranit.

“Ne do t’i sulmojmë ata, do t’i sulmojmë shumë fort” – tha Trumpi të mërkurën në Zyrën Ovale.

“I goditëm dje, do t’i godasim përsëri fort sot, në rast se ju ik [lajmi], në rast se nuk e ndizni televizorin, dhe do të shohim se çfarë ndodh me marrëveshjen” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

ShBA-ja kreu sulme dje si kundërpërgjigje ndaj atij që e cilësoi si rrëzim nga Irani të një helikopteri ushtarak amerikan në ujërat afër Omanit./Nacionale