Siç është ushqimi për ushtarët e policët, ashtu është edhe shteti

Nga: Daut Dauti

Shkrim me shkas, pas lajmeve të djeshme për ushqimin që u servohet policëve të Kosovës që mbajnë rend në veri të vendit.

Çka hanë ushtari?

Ushtari hanë gjithçka që i servohet dhe gjithmonë është i uritur. Këtë mund t’ua vërtetoj nga përvoja ime. Kur kam qenë ushtar (Zagreb, kazerma “Marshall Tito”), ushqimi ka qenë shumë më i mirë se ai që e kisha ngrënë në Mensën e Studentëve në Prishtinë. Për drekë kishte më shumë se katër zgjedhje të ushqimit kryesor. Natyrisht, ushqimi shoqërohej me paragjellë, sallatë dhe ëmbëlsirë. A na pëlqente neve ushtarëve ky ushqim? Nuk ishte punë pëlqimi. Ushtari trajnohet që të hajë gjithçka. Prandaj, kur i kthenim pjatat, të gjitha ishin të zbrazëta.

Ky ka qenë viti 1987, kur gjatë verës në Zagreb u mbajt “Univerziada” që ishte një lloj olimpiade e lojërave verore të studentëve evropianë. Me këtë rast, në kazermën tonë erdhën për të qëndruar diku rreth 100 studentë gjermanë, spanjollë, italianë … Kjo ndikoi që ushqimi të përmirësohej dhe mensa jonë të shndërrohej në restorant të nivelit të lartë. Zgate Zot, siç thotë një fjalë. Por, kjo nuk zgjati më shumë se dy javë dhe gjërat u kthyen në gjendjen e mëparshme.

Kur shkonim në terren për stërvitje, ushqimi ndryshonte. Kualiteti binte gati në zero. Atëherë hanim “SDO” që ishte shkurtesë për ushqimin e terur dhe të paketuar. Këtë ushqim e vendosnim në pjesën e torbës së shpinës dhe përmbante konserva së bashku me udhëzimet e përdorimit. Konservat zakonisht përmbanin pasul, gullash, peshk, djathë, katër copë “dvopek” (lloj buke e terur që nuk hahet pa e lagur në ujë) dhe disa qese të çajit në formë të pluhurit. Duhej të ndiznim zjarr për ta ngrohur këtë ushqim, të cilin e hanim vetëm për arsye se nuk kishim tjetër.

Kur shkuam në Slunj për stërvitje dyjavëshe, e kuptuam rëndësinë që kishte ushqimi i kazermës, çfarëdo që ishte. Në terren hanim kryesisht konserva. Gjatë ditës me siguri kalonim 20-30 kilometra rrugë duke ecur, vrapuar ose duke u zhagitur. Varej se si e donte situata. Por, deri në mbrëmje dërrmoheshim dhe nuk pyetnim se çka ka për darkë.

Në vendet ku ushtronim ne (duke simuluar luftën), kishte fshatra të vogla, por pothuaj të gjitha të braktisura. Ishte mirë që ishin braktisur për shkak se në shtëpitë e zbrazura edhe flinim shpesh. Ishte vjeshtë dhe në oborret e këtyre shtëpive kishte pemë ku dominonte rrushi. Pasi që ishim tërë kohën të uritur, i hanim jo vetëm frutat, por më dukej se i hanim edhe gjethet. Kërpurdha kishte gjithkah, të cilat i mblidhnim dhe i hanim pa i pjekur apo të gjalla, siç thuhet. Ndoshta edhe do t’i fërgonim sikur të kishim kohë dhe mjete.

Dy ditë para se të kryhej programi i stërvitjeve, erdhi një major dhe i zgjodhi rreth 100 ushtarë, në mesin e tyre edhe mua, dhe me kamionë na dërgoi në fshatin e tij të lindjes që kishte diku rreth 20 shtëpi në rajonin e Kordunit. Aty ne i gropuam kanalet për ujësjellës dhe në fund i vendosëm gypat e plastikës dhe i mbuluam me dhe. Këtu ishte më mirë se sa në stërvitje. Fshatarët na sillnin ushqim shtëpie. Në ditën e dytë, kur përfundoi puna, në mbrëmje fshati organizoi festë. Vajzat dhe gratë sollën mish, raki e verë, siç e do puna. Sa për fillim i kënduam disa këngë, natyrisht për shokun Tito dhe vëllazërim-bashkimin. Kur u ngopëm me mish e u nxehëm me raki, dhe sapo filluam të bisedonim me ato pak vajza dhe gra që kishte fshati, erdhi majori, na urdhëroi që të rreshtoheshim dhe na tha: “Boll për sonte”.

U larguam me kamionë për të fjetur në shatorë nja pesë kilometra larg nga fshati të cilin e pajisëm me ujësjellës. Atë natë në gjumë hymë me erën e mishit dhe pamjen e vajzave të fshatit. Ndoshta nuk meritonim më shumë. Përndryshe, ky rajon ka qenë në Kroaci, por i banuar me serbë. Pesë vjet më vonë ky vend do të bëhej problematik kur aty u krijua “Srpska Krajina”.

Sidoqoftë, vite më vonë unë do kisha rast që të shihja se çka hanë ushtarët e shteteve tjera. Në vjeshtën e vitit 1999, së bashku me një gazetar britanik, i vizituam ushtarët rusë dhe ata amerikanë në Kosovë. Do të shkruanim se si jetojnë pjesëtarët e këtyre dy ushtrive në Kosovë.

Në Malishevë një grup i oficerëve rusë na pritën siç është më së miri. Pasi e kryem bisedën me ta, erdhi koha e drekës dhe ata na ofruan të hanim me ta. Natyrisht që ne nuk refuzuam se ishte rast i mirë ta shihnim ushqimin e tyre. Ushqimi tregon shumë për gjendjen e ushtrisë. Kuzhinierët rusë na servuan nga një pjatë me lakra të ziera ku mezi shiheshin disa copa të vogla të mishit. Ky ishte ushqimi i vetëm në meny. Madje, edhe sallata ishte e lakrës. Ushqimi ishte aq i pashije sa që, thjeshtë, nuk hahej. Kurrë nuk kisha ngrënë ushqim më të keq. Në këto raste duhet të pretendosh se të pëlqen dhe kjo më shtyri mua, por edhe kolegun tim, që t’i gëlltitnim lakrat me zor. I dolëm, disi, deri në çerek të pjatës dhe u dorëzuam. Ndoshta, sikur të isha ushtar, do ta haja. Ky veprim i joni nuk kaloi pa u vërejtur nga oficerët. Oficerët rusë, pa asnjë dyshim, ndjeheshin të turpëruar. Me këtë rast e krahasova ushqimin e tyre me atë të ushtrisë ku kisha shërbyer. Krahasimi bënte me dije për dallime të mëdha.

Të nesërmen shkuam te ushtria amerikane në Gjilan, në “Camp Montieth”. Një oficer na priste te hyrja dhe pasi kaluam kopshtin e rregulluar, hymë në kazermën e cila dikur ka qenë e ushtrisë jugosllave dhe është quajtur “Zenel Hajdini”. Unë jam rritur vetëm 100 metra larg kësaj kazerme dhe tashti për herë të parë po e shihja nga brenda. Dukej e meremetuar dhe gjithçka vizëllonte. Duke kaluar korridorit për në zyrë të oficerit pashë mensën e kazermës. Kërkova që ta shihja nga brenda dhe oficeri nuk kundërshtoi. Dreka po kryhej, por vërehej se llojet e ushqimeve ishin të shumta. Gjithë ato lloje të mishrave dhe gjellëve të ndryshme. Aty lirisht mund të hante edhe presidenti Clinton së bashku me gruan e tij. Nuk kishte vend për asnjë krahasim me ushqimin e ushtrisë ruse. Këtu gjithçka ishte sipërore.

Pas bisedës, e pyetëm oficerin nëse mund ta vizitonim ndonjë njësit të ushtrisë së tij në terren. Ai nuk kundërshtoi dhe e urdhëroi një patrullë të “hammer”-ëve që të na dërgonte në Zonën e Lindjes në kufi me Serbinë. Pas disa minutave “hammer“-ët u ndalën në hyrje të fshatit Pogragjë. Afër urës mbi lumin Moravë dhe mbi çeshmen e fshatit, ushtria amerikane kishte ngritur nja tendë të madhe ku hymë për të biseduar me komandantët e ndërrimit të patrullave dhe mbikëqyrjes së terrenit. Tenda kishte ngrohje që vinte me gypa nga jashtë ku lidhej me disa motorë të mëdhenj. Aty gjetëm duke pushuar diku rreth 10 ushtarë të cilët rrinin në disa fotele të ndara në dy dhoma për shkak se i shikonin dy televizorë të ndryshëm. Një dhomë tjetër ishte e rrethuar me rafte që mbanin lloj-lloj ushqime, siç ishin pemët, nga më të ndryshmet, përfshirë ato tropikale, çokollata, keksa, torte, lëngje … Ishte sikur kur hyje në ndonjë shitore të pasur. Të merremi vesh, ky ishte ushqim shtesë dhe falas për ushtarët në terren që hynin aty kurdo që dëshironin dhe merrnin çkado që dëshironin. Ushqimi kryesor vinte i nxehtë dhe me kamion kur e kishte kohën. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ushtarët amerikanë nuk kanë ushqim të konservuar. Natyrisht që kanë, dhe me sa e di unë, as atyre nuk iu pëlqen fare ky ushqim, por është i domosdoshëm.

Sapo u ulëm, oficeri e urdhëroi një ushtar që të na sillte diçka për të pirë dhe ngrënë. Nuk vonoi dhe ushtari erdhi me një paketë me pije freskuese dhe një kofë të plastikës, me siguri tre kilogramëshe, me “mixed nuts” (arra, kiki-rika, pistaçio, bajame e kushedi çka tjetër). Derisa bisedonim, në anën time të majtë shihej një mur me aparaturë të ndryshme që shërbente për komunikim apo kontrollim të sinjaleve. Të gjitha këto gjëra ishin brenda një tende.

Tashti, si ta krahasonim ne ushtrinë amerikane me atë ruse, por edhe me atë të ish Jugosllavisë ku kam shërbyer unë? Këtu nuk kishte krahasim. Ushtari amerikan nuk kishte nevojë të ndalej nëpër oborre për të ngrënë rrush dhe mbledhur kërpurdha sikur unë dikur.

Pas bisedës dëshiruam ta shihnim kufirin që e ruanin njësitë amerikane. Shkuam në afërsi të Dobrosinit dhe u ndalëm para pikës së kontrollit që kishin ndërtuar dhe ku kontrolloheshin hyrje daljet. Në një lis ishte vendosur një lloj antene satelitore, të cilën sado që e kishin maskuar, ne e vërejtëm. Pyetjeve tona se çka po ndodhte matanë, oficeri filloi t’iu bënte bisht dhe përgjigjej vetëm me qeshje simpatike. Sidoqoftë, kjo është tjetër temë. Sot e kishim vetëm për ushqim të ushtarëve.

Për shkak të ushtrisë, Amerika ka ndërtuar një varg të madh të industrisë së ushqimit ku janë angazhuar qindra mijëra njerëz. Megjithatë, nuk është punë e lehtë ta organizosh lëvizjen e këtij ushqimi nga prodhimi e deri te dora e ushtarit në terren. Por, shteti që mund t’i ushqej ushtarët (dhe policët) sikur Amerika, i ka punët mirë.