Si u vra nëna e Elsa Lilës, historia e rëndë të cilën këngëtarja e përjetoi gjithë jetën

Me zërin brilant, thjeshtësinë e butësinë e saj, Elsa Lila e magjepsi publikun shqiptar që në momentin kur u ngjit në skenën e Festivalit të këngës së lehtë në RTSH ku në vitin 1996 fitoi me këngën “Pyes lotin”.

Më pas u largua drejt Italisë, ku edhe atje vijoi karrierën në muzikë, duke marrë pjesë në Sanremo.

Sot, nga përtej detit mbërriti lajmi i arrestimit të saj, i cili më shumë ndoshta se indinjatë, ka shkaktuar keqardhje. Keqardhje për një jetë plot tallaze të kësaj këngëtareje të bukur e të talentuar, e cila po rriste e vetme vajzën e saj pas ndarjes nga partneri.

Elsa u përball që në moshë të vogël me një dhimbje të madhe: vdekjen e të ëmës, në rrethana të tmerrshme.

Nënën, violonisten Eva Vishaj e humbi në 1997, viti i trazirave; ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës e qëllua me plumb në kokë.

Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago.

Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të Parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit. Duke qenë se ishte e divorcuar, Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”.

Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndersa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën.