Si lindi miti i Mollës së Kuqe?

Shkruan: Blerim Latifi

Njëri nga librat më interesantë të shkruar për historinë e Perandorisë Osmane, është libri “Konstantinopoja – Qyteti i ëndrrave 1453- 1924”, i Philip Mansel. Aty e gjejmë edhe shpjegimin për origjinën e njërës prej metaforave politike, e cila vazhdon ende të qarkullojë në mesin tonë. Kjo është metafora politike e Mollës së Kuqe.

Tek ne ende besohet gjerësisht se fjala nuk është për një metaforë, por për një mollë konkrete, e cila besohet se ka qenë diku afër Nishit, pikërisht në kufirin që ndante territoret etnike shqiptare me ato serbe, para vitit 1878. Në fakt, e vërteta qëndron ndryshe.

Nuk bëhet fjalë për një mollë konkrete, por për mollën si simbol sundimi. Kur osmanët e pushtuan Konstantinopojën, të cilën më pas e quajtën Stamboll, ata e gjetën para Kishës së Hagia Sofias, një shtatore të madhe të perandorit Justinian hipur mbi kali. Në njërën dorë Justiniani mbante shpatën, ndërsa në tjetrën një glob të kuq, i cili simbolizonte sundimin mbi botën të Perandorisë Bizantine.

Osmanët e rrëzuan shtatorën e perandorit më të njohur bizantin, por i ruajtën simbolet e tij, bashkë me pretendimin për të qenë trashëgimtarë të fuqisë së dikurshme të Perandorisë Bizantine. Në mesin e këtyre simboleve ishte edhe metafora politike e globit të kuq, e cili, në vështrimin e osmanëve, dukej si një mollë e kuqe.
Kështu globi i kuq i Justinianit u shndërrua në mollën e kuqe të sulltanëve osmanë, të cilët filluan ta përdorin atë si simbol të pretendimeve të tyre për pushtimin e Europës. Në fillim, shkruan Mansel, për osmanët Molla e Kuqe ishte Roma, kryeqendra e Krishterimit, pastaj, më vonë, e tillë u bë Vjena, të cilën ushtritë osmane dy herë arritën ta rrethonin.

Kështu, gradualisht, simbolika e Mollës së Kuqe u bë simbolikë e kufijve të Perandorisë Osmane dhe prej andej kjo simbolikë hyri edhe në imagjinatën kolektive të shqiptarëve dhe në folklorin e tyre. Pra, e tëra ka të bëj me një metaforë politike bizantino-osmane.