Si jetohet në Itali pasi u shfaq korona virusi? “Shkollat janë të mbyllura, marketet e zbrazëta”

Shkolla të mbyllura, markete që zbrazen gjatë pasdites dhe izolim nga vendet publike, kështu jetojnë qytetarët e Italisë në zonat e prekura nga korona virusi.

Në Itali jetojnë 64 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut, njëra nga ata është edhe Semavije Deari e cila në prononcimin për TV 21 rrëfeu atë që po e përjetojnë çdo ditë.

“Për momentin vetëm shkollat janë të mbyllura, fabrikat punojnë. Në markete ka panik gjatë pasdites. Paradite mund të gjinden gjëra, pasdite jo. Njëherë për njëherë jemi në gjendje normale këtu në zonën tonë. Djalin e kam, por nuk shkon në shkollë, na kanë thënë deri më datë 1 mars, por më duket se do ta bëjnë deri më 8 mars”, Semavije Deari, banore në Itali.

Në Itali virusi u paraqit gjatë javës së kaluar, disa muaj pasi u shfaq në Kinë.  Deari thotë se para se të paraqitej korona virusi në Itali, është realizuar fushatë në shkolla dhe vende publike se si të mbrohen nga i njëjti.

TV 21: Para se të paraqitej virusi në Itali, a kishte ndonjë aktivitet në institucionet publike, ndonjë fushatë se si të mbroheni nga virusi?

 Semavije Deari : “Po, tregonin që mos të kemi shumë kontakt me njerëzit që kanë grip, kollë, teshtimë, temperaturë”

Në zonën ku jeton Deari janë të infektuar 17 persona, të cilët për momentin gjenden në spital. Ajo tregon se edhe ata persona që kanë vdekur, janë të moshuar dhe që kanë vuajtur nga ndonjë patologji paraprakisht.

“Duhet të kemi pak frikë dhe të ruhemi, por edhe nuk është aq sa thuhet që të bëhet panik. Ato që kanë ndërruar jetë janë të moshës mbi 50 vjeç, që kanë pasur ndonjë patologji apo sëmundje të rëndë. Të rinjtë e tejkalojnë, nuk është edhe aq e rrezikshme”, theksoi Deari.

Italia është shteti i parë i cili shfaqi shenja nga infektimi i korona virusit në jug të Evropës. Deri tash atje kanë vdekur 12 persona, ndërkaq janë infektuar 400 të tjerë.