Shtyrja e regjistrimit në MV dhe pasioni i BDI-së për vasalitet pa kusht

Nga Ramazan Bekteshi

Para një dekade regjistrimi dështoi për shkak të marrëveshjes së fshehtë Gruevski-Ahmeti. Kësaj radhe, si për çudi regjistrimi nisi me entuziazëm në diasporën shqiptare, por vetëm një thirrje e Mickoskit që ia bëri Zaevit dhe një takim pa palën shqiptare në pushtet (BDI-Besa), regjistrimi shtyhet për më vonë, dhe ky vendim gjithë maqedonas, ngrit shumë dyshime te qytetari shqiptar.

A ishte motiv anulimi i regjistrimit për shkak të organizmit ambicioz të diasporës shqiptare, dhe duke e ditur pala maqedonase, se gjysma e popullatës shqiptare ndodhet në mërgim, ky shkak si me panik i uli bashkë kokë-më-kokë dy armiqtë e përbetuar. Pse e alarmoi realiteti shqiptar Mickoskin e Zaevin dhe çfarë skenarësh mund të përgatisin si kundër masë gjatë pauzës gjer në shtator, që numri i shqiptarëve të dal aq sa e projektojnë ata si në te kaluarën e jo sa është në realitet.

Gjatë marrjes së vendimit të fundit për shtyrje të regjistrimit që u bë pa BDI-në, çuditërisht ajo nuk i protestoi Zaevit për përjashtim të saj, por kryparlamentari i kuvendit, Talat Xhaferi doli me një deklaratë të çuditshme se: “Çdo kush që del me idenë për shtyrjen e regjistrimit duhet t’i kërkojë falje publike kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit,” derisa, zv. kryeministri Grubi thotë :“Nuk mund të sillen vendime nga ata dy liderë në ato takime për arsye se vendimet sillen ose në parlament ose në qeveri dhe gjithsesi se ato vendime do të vijnë atje.” Derisa sipas partisë, BDI-së, “vendimi për shtyrje të regjistrimit është i duhur dhe i drejtë.” Pra, tri deklarata secila me kontradiktore se tjetra, zaten këto zëra kakofonie e prodhuan edhe këtë shkrim.

Kryeministri Zoran Zaev duke folur për vendimet që i kanë marrë me Hristijan Mickoski, tha se janë marr me konsensus të partive të koalicionit, dhe tha se me opozitën do të takohet të mërkurën, dhe nëse opozita i përgjigjet thirrjes së Zajevit kjo i bie si me sjell daulle e zurla pas dasme.

BDI, në sundimin e saj 18 vjeçare ka pasur një partneritet të përzemërte me Gruevskin duke aprovuar çdo vendim të tij bile edhe projektin Shkupi 2014. BDI e mbyllte gojën edhe atëherë kur MPB Jankulloska i përbuzte shqiptarët duke i quajte “indianë”, “fisnor” e primitiv, BDI s’e hapi gojën edhe atëherë kur nga arenat sportive maqedonase kërkohej “dhoma gazi për shqiptaret”, as atëherë kur thuhej se “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur.”

BDI, gjatë sundimit të saj kurrë s’e realizoi Marrëveshjen e Ohrit, projektin për punësim proporcional, edhe ata që u punësuan, nuk kanë të drejtë të shkojnë në punë por paguhen me vite pa punuar asnjë ditë. BDI, disa nga këta persona dhe jo aq me fat i përdor për aktivitete partiake e si gjuetar votash. Ajo, këta viktima i eksploaton duke i shndërruar (disa) si militantë partie. Të gjithë këta, do të dëshironin të shkojnë në punë, të kontribuojnë për komunitetet e tyre, të përjetojnë ndjenjën e punës dhe pushimit, por këta njerëz janë shndërruar si robër që e bëjnë jetën si “në një bashkësi me liderin e kultit.” Kjo formë e punësimit e aplikuar nga BDI e VMRO-DPMNE në fillim e që vazhdon është unike, diskriminuese dhe e vetmja në Evropë.

BDI, kurrë se kundërshtoi diktatorin Gruevski, por së bashku ishin partnerë në krim të organizuar e vjedhje votash në formën më bizare. Lideri i BDI-së do të hy në historinë e parlamentarizmit pa e hapur gojën asnjëherë në parlament, një rekord impresiv i një lideri për të marr epitetin e një politikani memec. Të jemi korrekt, edhe opozita e përçarë e mban një pjesë të fajit.

BDI, gjatë ndarjes së pushtetit lejoi një shpërndarje jo proporcionale të buxhetit në dëm të palës shqiptare, ajo është fajtore pse vonohet lidhja me autostradën e Kosovës, ajo është fajtore për diskriminim në arsim dhe fyerje të shqiptarëve edhe për origjinën e tyre në librat shkollor derisa ata e udhëhoqën Ministrinë e Arsimit. Fajtore që e lejoi në Shkup arkitekturën e Barokut false të Gruevskit, fajtore për statujën e vrasësit të shqiptarëve, nuk janë pa faj as për dukjen e lagjes se getos shqiptare të Çairit, si Kandahari, në krahasim me lagjen maqedonase në Vodno, si Beverly Hills.

Gjatë sundimit të BDI-së me partnerët e saj ndodhën vrasje misterioze, ndodhi “Monstra”, Sopoti, Kumanova, burgosje të qytetarëve të pafajshëm me skenarë të përgatitur të pushtetarëve. Me ardhjen e Zajevit në pushtet ata që kishin bërë krime nga BDI sipas bombave, Zaev nuk i ndëshkoi por i mban peng, duke i shndërruar ata në njerëz pa zë për shkak krimeve, si tani që s’i pyeti kur luajti me regjistrimin.

BDI është fajtore pse s’u reformua kurrë, fajtore pse s’e ngriti zërin kundër partive që ishte në koalicion edhe atëherë kur bëhej diskriminim, fajtore pse s’e braktisi Grujevskin kur ai i vrau pas shpine ata që ishin dorëzuar në Kumanovë, fajtore pse s’e votoi kandidatin për president shqiptar, fajtore pse premtoi se do të këtë kryeministër shqiptar qoftë edhe shkurtazi, fajtore pse e nënshkroi marrëveshjen e Prespës pa kushte, fajtore e pjesshme për ikjen masive të shqiptarëve, pesëfish më shumë se pala maqedonase, fajtore për shumë kurthe që i ndërtoi gjatë viteve të sundimit të saj të gjatë me Grujeskin, aq shumë kurthe sa që tani mund të bie në kurthin e vet në çdo çast.