Shtyhet për nesër gjykimi për rastin TNT

Seanca gjyqësore për rastin TNT është shtyrë për nesër në ora 09:00. Gjykatës Ognen Stavrev ka kërkuar që i dyshuari Toni Trajkovski në rast se nuk paraqitet dhe nesër në gjykatë atëherë të merren masa dhe të sillet me polici.

Ndryshe ish kreu i komunës së Gazi Babës Toni Trajkovski sot në mëngjes përmes avokatit të tij ka njoftuar gjykatën se mbrëmë ka qenë i sulmuar fizikisht dhe se me lëndime të rënda ka përfunduar në spital, ndërkohë që rasti është konfirmuar edhe nga MPB-ja.

Gjykatësi Stavrev fillimisht ka kërkuar që seanca të vazhdoj, duke arsyetuar vendimin e tij me bisedën që paraprakisht kishte zhvilluar me drejtorin e Qendrës urgjente, nga ku kishte marrë informacionin se Trajkovski është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se është rrugës për në shtëpi, por pasi pa fotografinë e Trajkovskit ku shiheshin shenjat e dhunës hoqi dorë nga vendimi i tij dhe caktoi seancë për ditën e nesërme në ora 09:00.