Po shtohen përplasjet brenda-partiake të opozitares VMRO-DPMNE, pasi ditëve të fundit Këshilli Iniciues informoi se më 28 mars do të ketë Kongres të jashtëzakonshëm për ndërrimin e liderit partiak, Hristijan Mickoski. Ish-funksionari i partisë dhe një nga iniciatorët për mbajtje të këtij kongresi, Ivica Konevski, për TV21 tha se e kanë mbështetjen e 2/3 të delegatëve të partisë.
“Mbështetja e deputetëve supozoj se është mbështetja e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së dhe ata deputetë janë të partisë, të VMRO-DPMNE-së. Sinqerisht besoj se nëse vjen deri te ndërrimi i udhëheqësisë në këtë kongres të jashtëzakonshëm, ata deputetë do të qëndrojnë pas udhëheqësisë së re. Kongresin e jashtëzakonshëm e përbëjnë të gjithë delegatët nga kongresi i fundit, që janë rreth 500. Që ky kongres të jetë legjitim, është e nevojshëm të ketë 2/3 të anëtarëve në këtë kongres të jashtëzakonshëm. Ne deri më tani e kemi siguruar këtë mbështetje”, tha Ivica Konevski – Këshilli Iniciues i VMRO-DPMNE-së.
Pas kësaj, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, përmes një kumtese i dha mbështetje të plotë kryetarit aktual dhe udhëheqësisë partiake. Në mbështetjen e nënshkruar nga deputetët, ata porosisin se duhet respektuar Statuti dhe kompetencat e organeve partiake. Nënkryetari i partisë dhe deputet, Aleksandar Nikollovski, akuzoi se Këshilli Iniciues punon në bashkëpunim me kryeministrin Zoran Zaev.
“E gjithë qendra për komunikim të LSDM-së ose sidoqoftë të quhet në këtë moment, është në koordinim me dy-tre anëtarë të atij këshilli iniciues dhe në bazë ditore krijojnë dhe plasojnë të pavërteta përmes mediave sociale përmes deklaratave të një pjese të tyre dhe në disa media ku mund t’i plasojnë këto informacione. Në bazë ditore bëhet ky operacion dhe për momentin të njëjtat ata bëjnë strategji se si të plasojnë të pavërteta”, deklaroi Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
Zaev hedh poshtë çfarëdolloj përfshirjeje në përplasjet brenda partisë opozitare. Kam shumë punë në LSDM dhe nuk kam për qëllim që të përzihem në proceset e brendshme të një partie tjetër, tha ai.
“Kjo është puna e tyre, e anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së, ata vendosin ashtu siç vendos anëtarësia e LSDM-së. I hedh poshtë të gjitha dyshimet dhe akuza për përfshirje të Zoran Zaevit në procese të brendshme të VMRO-DPMNE-së. Çfarë do të arrij me ndërrimin e Mickoskit? A do të jetë më mirë për LSDM? Ose nëse vjen dikush tjetër, a do të jetë më mirë për LSDM? Unë po pres opozitë të shëndetshme dhe të fortë”, theksoi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Krahas kongresit të jashtëzakonshëm që e caktoi Këshilli iniciues i VMRO-DPMNE-së, të mërkurën Komiteti qendror e partisë opozitare solli vendim për mbajtjen e kongresit të rregullt në nëntor të këtij viti./TV21