Shteti s’ka para për një tra në hekurudhën që merr jetë në Saraj (VIDEO)

Mungesa e traut dhe sinjalizimit te kalimi i hekurudhës në hyrje të Sarajit vazhdon të jetë rrezik i përditshëm për jetën e banorëve të fshatrave të kësaj komune, shkruan gazeta LAJM. Ata që me dekada jetojnë në këto anë, nuk mbajnë mend që ndonjëherë të ketë funksionuar si duhet sinjalistika në këtë hekurudhë.

Shteti s’ka para për një tra në hekurudhën që merr jetë në Saraj (VIDEO)

Shteti s’ka para për një tra në hekurudhën që merr jetë në Saraj (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Friday, 16 October 2020

“Prej kur e mbaj mend unë, këtu nuk ka ekzistuar tra, përveç disa shenjave që ekzistojnë. Ne që kalojmë këtu, çdo herë jemi të rrezikuar”, u shreh një banorë i Kondovës.

Ekipi i gazetës LAJM filmoi kalimin e banorëve dhe makinave mbi hekurudhë në Saraj dhe Kondovë të Shkupit. Për shkak të rrezikut për të kaluar mbi hekurudhë, prindërit kanë frikë t’i lënë fëmijët e tyre të shkojnë vetë në shkollë.

“Ky problem është i pazgjidhur me dekada. Këtu nga aksidentet me trenin kanë humbur jetën banorë të kësaj ane”, u shpreh një banor i Sarajit.
Aksidentet fatale me viktima e të lënduar që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk kanë ndërgjegjësuar autoritetet kompetente për zgjidhur këtë problem dhe për të shmangur rrezikun për jetën e banorëve.

“Prej 11 vitesh kërkojmë edhe ne por edhe gazetarët dhe gjithë mediat që të rregullohet kjo çështje, por nuk është bërë asgjë. Institucionet vetë duhet të shohin se këtu duhet të ketë një tra për të pasur siguri për qytetarët”, tha një banor.

Disa nga të intervistuarit rrëfejnë se kanë humbur familjarët e tyre gjatë aksidenteve që janë shkaktuar nga mungesa e traut dhe sinjalistikës në këtë hekurudhë.

“Para 9 viteve kam humbur xhaxhain në këtë vend. Prej atëherë kishte premtime se do të zgjidhet ky problem por u vendosën disa pajisje për sinjalizim që punojnë në mënyrë jo të rregullt”, u shpreh një tjetër banor.

Nga ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë”, thonë se nga 300 kalime rrugore mbi hekurudhat në gjithë vendin, 60 janë të siguruara vetëm me pajisje për sinjalizim me zë dhe me drita, pa tra siç janë kalimet rrugore në Saraj dhe Kondovë. Më tej në qendrimin e kësaj ndërmarrje thuhet se vendosja e trarëve digjitalë është shumë e kushtueshme dhe se përpiqen që të sigurojnë fonde për të njëjtat. Ata sqarojnë se, me FONDET IPA janë të paraparë 12 trarë elektronik me gjithë pajisjet përkatëse, si dhe rikonstrumi i të 8 të tjerëve, por nuk saktësojnë nëse këto mjete do të destinohen për vendosjen e trarëve te kalimi mbi hekurudhë në hyrje të Sarajit dhe Kondovës. /Gazeta LAJM

Gazetare: Senehate Nimani, operator: Amir Idrizi