Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmet në Kabul

Disa raketa u hodhën në drejtim të aeroportit të Kabulit mëngjesin e sotëm, ndërsa trupat amerikane përgatiten të tërhiqen plotësisht nga Afganistani. Sipas një zyrtari amerikan raketat u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore. Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave. Për momentin nuk raportohet për viktima. SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë evakuuar mbi 117,000 njerëz, të huaj dhe afganë, nga aeroporti i Kabulit, prejse talibanët morën kontrollin, dy javë më parë.

Presidenti amerikan Bajden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se orët e fundit të operacioneve në Kabul do të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme. Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit. Sulmi me dron u krye dy ditë pasi një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.

Ministrat e Jashtëm të disa vendeve do të takohen sot virtualisht për të diskutuar politikën ndaj Afganistant, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit. Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Katari, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të flasë për përpjekjet e evakuimit gjatë dy javëve të fundit dhe për rrugën përpara, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Alsat