Shtetet fqinje mbyllin hapësirën ajrore për ministrin rus, anulohet vizita e Lavrov për në Serbi

Vizita e ministrit të jashtëm të Rusisë në Beograd, u anulua pasi vendet përreth Serbisë thanë se do të mbyllnin hapësirën e tyre ajrore për fluturimin e tij.

Vizita e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Serbi është anuluar pasi vendet përreth Serbisë, thanë se do të mbyllnin hapësirën e tyre ajrore për aeroplanin e tij, kanë njoftuar zyrtarët rusë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zaharova, tha se shtetet fqinje të Serbisë e kanë mbyllur hapësirën ajrore për fluturimin e aeroplanit të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, transmeton “RIA Novosti”.

“Vetëm sot [të dielën] një orë më parë, vendet përreth Serbisë mbyllën kanalin e komunikimit, duke mos lejuar fluturimin e avionit të Sergei Lavrov, i cili po përgatitej për në Serbi”, tha Zaharova për TV italian La7, transmeton Tanjug.