Shtërpca e tëra në arsenal serb / Në veri çfarë do të gjendet nga policia dhe prokuroria, armë lufte?!

Pamjet e bastisjeve nga njësitë speciale të Kosovës dhe ato të rregullta, dhe hetimi i kryer në Shtërpcë ka sjellur mesazhe të reja për paqtimin e pakicës serbe dhe lirimin e saj nga manipulimi dhe kontrolli i saj nga Serbia.

Nga sot, mund të thuhet se Shtërpca është çliruar, nga ajo frymëzënia e fashizmit, shovinizmit dhe destruktivizmit programatik serb.

Provat shqetësues dhe simbolika e zbatimit të ligjit

Por, gjetja e provave është tepër shqetësuese. Kjo tregon se si Serbia kontrollonte jo vetëm serbët, strukturat e saj paralele, por edhe se arrinte ta ndikonte jetën e shqiptarëve në Kosovë, e manipulonte politikën dhe institucionet e Kosovës pa asnjë pasojë për Beogradin.

Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt janë konfiskuar 15 kamera të sigurisë, të cilat ishin vendosur në hapësira publike nga strukturat ilegale serbe, të kontrolluara nga Serbia.

Por, ky numër mund të ishte i mjaftueshëm për të kontrolluar lëvizjet në këtë qytet të vogël malor të Kosovës, ndërsa pamjet transmetoheshin drejtpërdrejt ose përcilleshin tek organet e sigurisë në Serbi.

“…kemi pasur informacione që edhe kamerat e sigurisë që janë të vendosura në vendet publike në komunën e Shtërpcës, monitorohen nga strukturat ilegale dhe pastaj përcillen tek organet e sigurisë në shtetin e Serbisë”, ka thënë sot prokurori Rasim Maloku.

Aksioni sipas prokurorit që e udhëhoqi rastin, ka filluar në mars, kur edhe është mbyllur objekti i komunës së strukturave ilegale serbe.

Ajo që është paksa e habitshme, se të gjitha materialet ilegale janë hequr, dhe për ato askush nuk është marrë në përgjegjësi, pavarësisht ekzistencës së provave.

Më shumë se sa heqja e kamerave dhe konfiskimi i dosjeve dhe materialeve të tjera, është simbolika e ndërhyrjes së institucioneve të drejtësisë për të vënë rend dhe ligj, për të respektuar Kushtetutën e vendit.

Të ndërhyhet në veri për spastrimin e armëve

Por, ky aksion duhet të vazhdojë në gjithë shtrirjen ku ekzistojnë strukturat paralele, e posaçërisht në veri. Atje më e pakta është gjetja e kamerave, arsenali i armëve që mund të gjendet mund të jetë tamam për një luftë disa javëshe nëse jo disa mujore.

Çarmatosja e serbëve është rruga e vetme e paqtimit të veriut, dhe bashkëjetesës në paqe. Derisa serbët kanë arsenal armësh për luftë, gjithmonë do të jenë të trimëruar nga Serbia për të nisur një konflikt.

Me shumë gjasë Serbia, Vuçiqi ishin të informuar për fillimin e këtij operacioni hetimor nga institucionet e drejtësisë, prandaj alarmoi për ‘gjakderdhje’ dhe e dërgoi kriminelin Millan Radojçiq, të paraqitet si një lider i rezistencës së ardhshme, sipas tyre.

Ardhja e delegacionit të lartë të NATO-s në Kosovë, e 30 ambasadorëve të Aleancës, takimi me presidenten Osmani, komandantin e KFOR-it dhe me struktura të tjera, është dëshmi edhe e shqetësimit të Aleancës se Serbia në bashkëpunim me Rusinë mund të kryejë ndonjë operacion konflikti në veri, duke përdorur organizimin dhe strukturat paralele serbe.

Pavarësisht mesazhit të dhënë nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, se nuk sheh NATO asnjë rrezik, vetë prania e një delegacioni kaq të madh nga Aleanca, që nuk mbahet mend që kur ishte, dëshmon shqetësimin, ndërsa mesazhi i drejtohet Serbisë për paprekshmëri të territorit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë, kishte raportuar që në dhjetor të vitit të kaluar se strukturat paralele serbe kishin shkuar një hap më tej, dhe po vendosnin në 12 shkolla sistemin e video-mbikëqyrjes së një kompanie kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Video-kamerat me aftësi njohëse të fytyrës, qenë blerë nga Serbia, dhe ishin vendosur pa lejen e Kosovës.

Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, kompaninë kineze Dahua Technology që nga viti 2019 e ka vendosur në listën e zezë të SHBA-së, për shkak se teknologjia e saj, shkel të drejtat e njeriut.

Sipas po këtij raportimi nga REL në dhjetor, Organi i përkohshëm i Komunës së Gjilanit, institucion paralel serb në Kosovë, kishte lidhur kontratë për prokurimin e këtij sistemi për video-mbikëqyrje me Neva Company 2020 DOO, me seli në Ranillugë, po ashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Në ndërkohë serbët e kanë shfrytëzuar vizitën e zyrtarëve të lartë të NATO-s në Kosovës, që t’ju ankohen atyre për shkelje të të drejtave nga Kosova, se kinse ata nuk duan më shumë të drejta se sa vet shqiptarët.

Shqiptarët në veri nuk mund të shkojnë

Kushtetuta e Kosovës qartëson se ne jemi një shtet qytetar dhe joetnik, ndërsa serbët në bisedimet e deritashme si në Vjenë, po ashtu edhe në Bruksel, kanë fituar të drejta speciale, aq sa shqiptarët në komunat me shumicë serbë nuk kanë të drejtë të ndërtojnë shtëpi, por një gjë e tillë nuk iu mohohet serbëve në komunat me shumicë shqiptare.

Po ashtu shqiptarët nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër komunat me shumicë serbe të veriut, pasi ata sulmohen dhe madje mund të vriten.

Serbët vetëm para një muaji, për një javë të tërë i kanë sulmuar me armë zjarri edhe policët në kryerje të detyrave. Ata i kanë shpëtuar vdekjes vetëm falë automjeteve të blinduara.

Institucionet e Kosovës duhet t’i kundërvihen kësaj propagande serbe, veçmas kur ajo bëhet nga serbë zyrtarë të shtetit apo të partive, dhe të mos lihet në heshtje apo vetëm në komunikim në kanale diplomatike.

Shkelësit e ligjit nuk mund të amnistohen, aq më tepër që tashmë kanë ndodhur edhe arrestime të ‘komandantëve’ që konsideroheshin të paprekshëm nga drejtësia, pavarësisht veprave kriminale që kryenin.