Shtatzëna dyshohet se u qëllua me disa plumba

Gruaja shtatzënë e cila është vrarë të mërkurën para Klinikës së Gjinekologjisë, ka qenë e shtrirë në këtë Klinikë, duke pritur për të lindur.

Sipas burimeve të KOHË-s, viktima fillimisht kishte dalë për të blerë diçka dhe derisa po qëndronte ulur para objektit të Gjinekologjisë, i dyshuari e ka qëlluar.

“I dyshuari e ka qëlluar fillimisht me një plumb viktimën, e pasi është rrëzuar, ka vazhduar të gjuajë disa plumba drejt saj”, tha burimi për KOHËN.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi për rastin.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, shkroi SHSKUK-ja në Facebook.

18:34Vritet shtatzëna 41-javëshe para Gjinekologjisë

Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e një gruaje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, i tha KOHËS se viktima është 35-vjeçare.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha ajo.

Viktima ishte në javën e 41-të të shtatëzënisë, duke pritur për të lindur. Vrasja dyshohet se është kryer me armë zjarri.

Rasti i së mërkurës ka ndodhur vetëm pesë ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër në Prishtinë.

Një burrë 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij 63-vjeçare në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, më 25 nëntor.

Sipas Prokurorisë, vrasja e gruas e cila ishte mësuese në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë është kryer me sëpatë.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.