Shtatë vjet pa rektorin e parë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmani

Nga Abdulla Mehmeti

Sot mbushen 7 vjet nga shuarja e Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Fadil Sulejmani u lind më 5.XII.1940 në katundin Bozovcë të Malësisë së Tetovës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse shkollën e mesme e kreu gjithashtu në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i kreu në Beograd, kurse ato të doktoraturës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar fillimisht arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Obiliq të Prishtinës dhe 2 vjet ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971 e filloi punën mësimdhënës i rregullt i lëndëve Morfologji dhe Fonetikë e gjuhës shqipe në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1993, kur pushteti serb e pushtoi dhunshëm këtë universitet dhe disa institucione të tjera arsimore e shkencore të Kosovës. Në vitin 1995, Fadil Sulejmani u zgjodh e profesor i rregullt i shkencave të filologjisë në këtë universitet.

Gjatë kohës sa ishte mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, formimin e tij akademik e vijoi me 2 vjet specializim, si bursist i Fondacionit ,,Aleksandër Humbold”, në Bon të Gjermanisë, si dhe 1 vit në Itali, që i mundësuan edhe njohjen e gjuhës gjermane dhe italiane, të cilat i shërbyen më vonë në hulumtimet e tij shkencore.

Në vitin 1990, me fillimin e proceseve demokratike, u kthye nga Prishtina në Tetovë, qytetin e tij të lindjes, ku u angazhua së bashku me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik në aksionin e madh popullor për Pajtimin e gjaqeve.

Në vitin 1990, me themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, me seli në Tetovë, Këshilli nismëtar ia besoi detyrën e Kryetarit të kësaj organizate, të cilën e ushtroi deri në muajin gusht të vitit 1991.

Në vitin 1991, bashkë me punonjës të tjerë shkencorë, intelektualë dhe përfaqësues të asociacioneve shqiptare në Maqedoni, u angazhua për organizimin e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili në aspektin e gjithanshëm shkencor e ndriçoi historinë e shqiptarëve dhe të këtyre trevave etnike nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme.

Më 1994, bashkë me intelektualë të tjerë ka qenë njëri ndër nismëtarët e themelimi të Universitetit të Tetovës. Në Kuvendin themelues të këtij Universiteti, më 4 qershor, u emërua anëtar i Kryesisë së Universitetit, ndërsa më vonë, më 8 janar 1995 u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, detyrë që e ushtroi gjatë dy mandateve, deri në vitin 2002.

Në ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të punës së këtij Universiteti, Prof. dr. Fadil Sulejmani ishte në ballë të këtyre aktiviteteve si, në drejtimin e punës së organeve të përkohshme të Universitetit, në sjelljen e Vendimit për hapjen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, më 17 dhjetor 1994; në hapjen publike të vitit akademik 1994/1995, më 15 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël; në fillimin e ligjëratave të para, në Poroj dhe Riçicë të Vogël, më 16 dhe 17 shkurt 1995; si dhe në aktivitete të tjera të cilat ia vunë vulën arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për këto aktivitete, pushteti i asaj kohe në Maqedoni e ndoqi, e maltretoi shumë herë bashkë me familjen e tij dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie, ndërsa dënimin me burg e vuajti në kohëzgjatje prej afër një viti.

Profesor Fadil Sulejmani është nderuar me disa çmime nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Krahas titullit “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, akorduar nga Senati i këtij Universiteti, më 25 nëntor 2002, që u pasua edhe me çmimin “Nderi i Universitetit të Tetovës”, më 17 dhjetor 2002. Në 18 vjetorin e themelimit, më 17 dhjetor 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Rektorit të Parë, Prof. dr. Fadil Sulejmanit i ndau titullin: Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi 10 veprave shkencore dhe më tepër se 200 artikujve të publikuar në periodikë të ndryshëm dhe revista shkencore. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: ,,E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës”, një monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh, Prishtinë 1979; ,,Praktikumi i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Prishtinë 1981, 1984; ,,Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”, monografi për ritet familjare në këtë trevë; ,,Njohuri për Gjermaninë dhe popullin e saj”, 1995; ,,Fonetika e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Morfologjia e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Hapi historik i universitetit tonë”, 1994. etj.

Profesor Fadili ka lënë gati për shtyp disa libra, si: ,,E Folmja e Malësisë së Sharrit”, e cila ka qenë edhe temë e disertacionit të doktoratës së tij; ,,Toponimia e tri malësive të Tetovës”, e cila u botu pas vdekjes së tij, më 2016; ,,Lojërat popullore në Malësitë e Tetovës”; ,,Sintaksa e gjuhës gjermane”, etj.

Profesor Fadil Sulejmani ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës dhe të drejtshkrimit, të gramatikës dhe të leksikologjisë, të dialektologjisë dhe të etnologjisë. Janë me qindra artikuj të publikuar ku i trajtoi këto çështje.

Në fushën e dialektologjisë dhe të leksikologjisë mund të përmendim artikujt si: ,,Dukuritë fonetike në të folmen e Malësisë së Sharrit”, ,,Terminologjia bimore dhe shtazore në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, ,,Leksiku blegtoral nga e folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, „Diftongjet dhe togjet zanore në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Vokalizmi në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Fjalë të bukura nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, „Fjalë popullore nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, etj.

Në fushën e etnografisë ka botuar shkrime me interes të madh, si: „Disa të dhëna rreth lindjes në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Besëtytnitë për vdekjen në Malësinë e Tetovës“, „Veçoritë fizike-gjeografike e sociale të Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Lojërat popullore të dasmave në anën e Tetovës“ etj.

Prof. dr. Fadil Sulejmani ndërroi jetë në orën 1:20, të ditës së hënë, më 11 shkurt 2013, në Prishtinë, ndërsa u varros po atë ditë, më 11 shkurt, në varrezat e qytetit të Tetovës, me nderime të larta si Rektor i parë i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Lavdi jetës dhe veprës së profesorit, intelektualit dhe atdhetarit të shquar, prof. dr. Fadil Sulejmani!

Tetovë, 11 shkurt 2018

* * *

Një nga artikujt e fundit të Fadil Sulejmanit:

RROPATJET PËR NJË IDENTITET DHE HISTORI TË IMAGJINUAR

(Realisht, sot në Maqedoni mbi 60 % e qytetarëve nuk i përkasin fesë ortodokse, por feve të tjera, sidomos asaj islame dhe mbi 70 % e banorëve nuk janë sllavomaqedonas, por popuj të tjerë, siç janë shqiptarët mbi 40 %, romët, torbeshët, boshnjakët, vëllehët, turqit, serbët, bullgarët e të tjerë.)

Nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani

Termi Maqedoni në kuptimin e sotëm paraqet vetëm një emër territori, i cili shtrihet 70 % në Greqi dhe 30 % në shtetin e ri qe mban këtë emër.

Por, përsa i përket popullit të saj, ai sot është një përzierje prej shqiptarësh, bullgarësh, sllavësh maqedonas, serbësh, turqish, vëllehësh (aromunësh), romësh (jevgjish), boshnjakësh, torbeshësh, yrikësh në juglindje të Maqedonisë dhe që flasin një dialekt të turqishtes e të tjerësh që në numër janë më pak.
Pra, kjo është Maqedonia shumetnike, një realitet që i ka rrënjët thellë në historinë e këtij vendi antik.

Sipas historianit grek Strabonit, gjeografikisht vendi i sotëm i Maqedonisë, para se të quhej me këtë emër, është quajtur Emadhia me kuptimin e fjalës shqipe “e madhja” dhe është populluar një pjesë prej ilirëve dhe epirotëve, kurse pjesa tjetër më e madhe e saj është banuar prej maqedonasve (antikë), thrakasve e botëve të ardhur nga Kreta, që kishin origjinë pellazge, jo greke. Fjala “botë” ka kuptimin e fjalëve shqipe “tokë, dhe-u”.

Vlen të theksojmë se ilirët, thrakasit, maqedonasit, epirotët dhe botët janë degë të trungut të moçëm pellazg. Kurse grekët vijnë aty më vonë e përzihen me pellazgët.

Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është i njohur nga bota e krishterë si prijës i Emadhisë. Edhe Venediku e quan Skënderbeun prijës të Emadhisë. Në shkrimet dhe mbishkrimet kishtare, si dhe në afreskat dhe figurat që i kushtohen Skënderbeut në shumë kisha të historisë së asaj kohe Skënderbeu njihet, diku si mbret i Emadhisë, diku si mbret i Maqedonisë.
Gjurmë të emrit Emadhi gjejmë sot edhe në toponiminë shqiptare te apelativi Mat-i, lat. Ematis, lumë dhe krahinë në Shqipëri dhe lumi Matka (Mat+ka) afër Shkupit, që janë tema fjalësh të një rrënje shqipe.

Gjithashtu sipas historianit Straboni, Emadhia quhet më vonë me emrin e sotëm të Maqedonisë sipas emrit Makedon që mbante prisi i një fisi luftarak të Emadhisë.

Nga Straboni mësojmë edhe atë se “Maqedonasit dhe Epirotët lehtë bashkëjetojnë, meqë kanë gjuhë, tradita, doke, zakone dhe veshje, kostume të shkurtra, dmth. fustanella, të ngjashme”.

Megjithatë, të gjithë popujt që jetojnë sot në Maqedoni janë një kategori gjeografike pavarësisht nga etnogjeneza e tyre, gjuha, raca, kombi, feja, lëvizjet dhe shtegtimet e tyre territoriale brenda dhe jashtë vendit të sotëm ku jetojnë. Ata kanë këtu edhe autoktoninë e tyre, edhe traditën, edhe etnokulturën e vet, dhe aty ku jetojnë mund ta ndërtojnë e ta zhvillojnë edhe identitetin dhe historinë e tyre kombëtare, duke u mbështetur gjithmonë në fakte dhe argumente shkencore, pa dëmtuar interesat dhe vlerat nacionale e kulturore të njëri-tjetrit.
Vështruar nga ky aspekt, brenda sllavëve maqedonas sot ka një konfuzion në shprehjen dhe ndërtimin e identitetit dhe të historisë së tyre, duke mos ditur as vetë ata se kush janë dhe çka janë. Varësisht nga rrymat proserbe dhe probullgare që veprojnë në Maqedoni, disa thonë se janë sllavë, kurse disa të tjerë ngulin këmbë se janë maqedonas të vjetër.

Prejardhja sllave e të quajturve maqedonas mbështetet në fakte dhe argumente disiplinash të shumta e të ndryshme të historisë dhe të shkencës botërore, dhe kjo është e vërteta e pamohueshme lidhur me etnogjenezën e tyre e që përkrahet kryesisht nga rryma proserbe.

Ndërkaq, pretendimet e sllavëve të Maqedonisë, sidomos të rrymës probullgare, se kanë prejardhje nga maqedonasit antikë, janë të rrejshme dhe imagjinare, ngase nuk mbështeten në asnjë fakt dhe argument të historisë dhe të shkencës botërore.

Si pasojë e këtyre dy rrymave proserbe (LSDM) dhe probullgare (VMRO-DPMNE), ato kur vijnë në pushtet e ndërrojnë jo vetëm Qeverinë, por edhe etnitetin e tyre, duke thënë njëra palë se janë sllavomaqedonas, e tjetra se janë nipat e Aleksandërit të Madh.

Këta sllavë që nga shekujt VI-VII pas Krishtit, kur erdhën në Maqedoni, asgjë nuk morën nga maqedonasit e vjetër, sepse nuk i gjetën dot aty, ata prej kohësh ishin shuar, si dhe grekët e vjetër. Në këtë kohë në Maqedoninë antike ishte krijuar një realitet i ri banorësh, aty tashmë ishin në një anë grekët dhe më anën tjetër fiset ilire që paraqitnin një rezultat shkrirjesh (simbioze) të tyre me maqedonasit e vjetër.

Prandaj, ne shqiptarët sot në Maqedoni e më gjerë mund të themi lirisht se jemi më maqedonas se çdo kush tjetër në Maqedoni, se maqedonasit kanë qenë shumë të afërt me ilirët, sidomos me epirotët, pra degë të një trungu të përbashkët gjenetikisht, që dëshmon edhe bashkëpunimi i ngushtë shoqëror midis tyre, si në paqe, ashtu edhe në luftë, duke përfshirë këtu edhe nipin e epirotëve, Lekën e Madh, si mbret i Maqedonisë dhe pris i një ushtrie të madhe prej maqedonasish, ilirësh dhe grekësh, princeshën epirote dhe mbretëreshën e Maqedonisë, Olimpia, si dhe nënën e mbretit maqedonas, Filipit, që ishte ilire.
Sllavët e Maqedonisë kur depërtuan në këto vise, ata erdhën si fise nomade barinjsh dhe bënin një jetë shumë primitive baritore. Ata kopjuan e mësuan shumë gjëra të vlefshme për jetë e jetesë nga tradita dhe kultura ilire e greke, siç ishin blegtoria, bujqësia, detaria, zanatet dhe artizanatet e njohuri të tjera.
Kjo shënohet edhe nga historiani F.Shevil në librin “Ballkani”, i cili thotë se “pasi sllavët ishin një popull me nivel të ulët kulturor” ata vuanin vazhdimisht nga ky kompleks që i shtyri historikisht ta ngrenë veten me dituritë e huaja dhe me përvetësimin e personaliteteve të njohura të popujve të tjerë.

Pikërisht kjo është arsyeja pse “sllavët e kanë quajtur çdo gjë greke si sllave” dhe i përvetësuan edhe vëllezërit grekë Metodi dhe Kostandini, që pas priftërimit u quajt Kiril, duke i marrë prej atëherë e deri më sot si apostuj sllavë, të cilët me qëllim të ngritjes kulturore dhe fetare të sllavëve themeluan alfabetin, letërsinë dhe kishën ortodokse sllave me të gjitha shërbesat e saj fetare.

Pra, duke qenë në një gjendje injorance dhe prapambeturie të madhe të kohës, sllavët e kishin turp të deklaroheshin si të tillë, prandaj paraqiteshin si grekë, si ilirë e shumë shekuj më vonë edhe si maqedonas të vjetër. Thjesht ata distancoheshin prej çdo gjëje sllave dhe identifikoheshin me vlera të huaja, duke e ngritur veten me kulturë, me histori, me gjeografi e me personalitete të shquara të popujve të tjerë që për pasojë ky realitet historik po na përsëritet sot te elementi sllav në Maqedoni.

Kjo është një kohë e fundit e shekullit IX, viti 870, kur mbretëria pagane e bullgarëve u kthye në një shtet të krishterë dhe kur sllavët e Maqedonisë njiheshin para botës me këtë emër dhe fe, kurse gjuha e tyre është një dialekt i bullgarishtes së Anavardarit të Poshtëm.

Në këtë kohë e deri në shekullin XIX sllavët e Maqedonisë as që flisnin për ndonjë popull, histori, gjuhë e identitet tjetër përveç atij bullgar dhe etnokulturës e etnogjenezës së tij.

Që nga fillimi i shekullit XIX, kryesisht në Maqedoninë e Pirinit, por deridiku edhe në atë të Vardarit e të Egjeut fillojnë lëvizjet e sllavëve, të shqiptarëve e të vëllehëve për liri dhe pavarësi nga robëria e huaj osmane, të cilat pasuan me disa kryengritje kundër Perandorisë turke, me Ilindenin, me Republikën e Krushevës, dhe ku u dalluan si luftëtarë e si udhëheqës shumë shqiptarë, sllavë, vëllehë e të tjerë.

Përsa u përket sllavëve, ata edhe në këtë kohë e kanë mbrojtur me fanatizëm prejardhjen e tyre sllave dhe në këtë drejtim ka pasur një unitet të fortë ndër ta.
Në këtë kohë një pjesë e madhe e tyre distancohen nga emërtimi bullgar i tyre dhe fillojnë të quhen maqedonas, sipas emrit të vendit ku banonin.
Gjatë Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene Maqedonia u quajt Serbi Jugore dhe sllavët maqedonas merreshin si pakicë bullgare aty.

Kjo mbretëri jugosllave kolonizoi trojet shqiptare me malazezë dhe serbë për ta mbizotëruar elementin shqiptar nga ai sllav, dhe si pasojë e kësaj sot në Maqedoni ndeshim rivalitetin e rrymave të njohura proserbe dhe probullgare.
Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945, udhëheqësit jugosllavë, sidomos Titoja, me një dekret politik formuan në mënyrë artificiale në trojet shqiptare Republikën Socialiste të Maqedonisë si pjesë përbërëse të Federatës Jugosllave.

Të mos harrojmë se në këtë luftë për çlirimin e Maqedonisë kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën heroikisht të gjithë popujt e saj, ku mijëra shqiptarë ranë dëshmorë për liri dhe pavarësi të këtij vendi. Megjithatë, gjaku i tyre nuk u bë dritë për bashkatdhetarët e vet.

Shqiptarët mbetën në një gjendje edhe më të rëndë kombëtare nga ajo që vuajtën bashkë me sllavët maqedonas e të tjerët nën okupimin serbomadh, dhe kjo fatkeqësi për çudi, edhe sot në pluralizëm e demokraci po i ngulfat ata, jo nga pushteti serb, por nga ultranacionalistët sllavomaqedonas.

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë kohës së sistemit komunist jugosllav, sllavët e Maqedonisë u rreshtuan nën flamurin e prejardhjes së tyre sllave, duke brohoritur me krenari se “Ne jemi vëllezër sllavë!”, dhe kjo lavdi vërehej në literaturën shkollore dhe në mbarë historiografinë e tyre.

Me rënien e monizmit komunist dhe lindjen e pluralizmit demokratik udhëheqësit politikë sllavomaqedonas filluan të manipulojnë mjaft me etnogjenezën e tyre për interesa politike, ekonomike, karrieriste etj.

Kur kishin interes me Lindjen, botën ortodokse, ata deklaroheshin se janë sllavë; ndërsa kur i shihnin interesat te Perëndimi, ata thoshin se janë maqedonas të vjetër, dhe kjo po vazhdon në njëfarë dore edhe sot.

Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe raporti mes popullit sllavomaqedonas dhe udhëheqësve të tij shtetërorë dhe politikë, të cilët janë aktivë dhe ushtrojnë ndikim të madh tek ai në përcaktimin e identitetit të tij.

Mesa shihet nga një realitet objektiv, masa popullore sllavemaqedonase duket se është më e vetëdijshme në zgjedhjen e identitetit sesa politikanët e saj të njërit apo të tjetrit tabor të luftës për fitoren e identitetit.

Populli sllavomaqedonas dhe pjesa më e madhe e intelegjencies së tij janë më unike dhe përkrahin realitetin shkencor për gjuhën, për etnokulturën dhe përgjithësisht për origjinën sllave të tij.

Megjithatë, ka mjaft individë dhe intelektualë, ndoshta nën ndikimin e politikës ditore, që flasin e shkruajnë se janë maqedonas të vjetër.

Identiteti i një populli legjitimohet me gjuhën dhe historinë e tij, mbështetet në dokumentet nacionale, e jo të deklaratave të politikanëve. Kjo vlen jo vetëm për sllavët në Maqedoni, por edhe për popujt e tjerë aty.

Shqiptarët, siç u tha, kanë shumë gjëra të përbashkëta me maqedonasit antikë, megjithatë, ata nuk thonë se janë maqedonas antikë, sepse kanë rrugën e identitetit të tyre që i çon nëpërmjet emrave alban, arban e shqiptar deri te ilirët.
Vëllehët (aromunët) kanë identitetin e vet që i lidh me gjuhën, historinë dhe kulturën e tyre rumune nga Dacia e lashtë që u pushtua nga romakët.

Sllavët në Bullgari morën emrin e vendit, sllavizuan gjuhën e kulturën e fiseve mongole, nga të cilat u pushtuan, nuk thanë se janë tatarë, por mbetën në etnogjenezën e tyre sllave.

Të dhënat më të reja të shkencës botërore flasin se në shkrimet e persishtes klasike i gjejmë emrat serboi dhe horvatoi, dhe kjo mund të jetë një provë e mjaftueshme se serbët dhe kroatët mund të kenë ardhur prej këndej në Ballkan si fise aziatike e të jenë shkrirë këtu me sllavë, të cilët morën pastaj emrin e tyre, por ata kurrë s’e kanë thënë këtë se janë persianë dhe gjuha e tyre ardhka nga persishtja. Jo! Ata pranojnë realitetin e tyre historik të etnosit sllav.

Edhe fiset mongole selxhukët nga Azia, të quajtura osmanli nga emri i të parit të tyre, erdhën në Ballkan dhe këtu u quajtën turk-turq, ndonëse morën emër të ri, ata kurrë nuk hoqën dorë nga identiteti i tyre osman dhe gjuha e tyre osmane, osmanishtja, e njohur sot si turqishtja e vjetër “eskityrçe”.

Yrikët janë fis aziatik i trungut selxhuk që me pushtimin e Pernadorisë Osmane të viseve të Ballkanit ata u vendosën në vise të ndryshme të Maqedonisë Juglindore, kryesisht në rrethinat e qyteteve të Shtipit, të Strumicës, të Gjevgjelisë, në Furkë, Bogdancë dhe Dojran. Para Luftës se Dytë Botërore ata arrinin një numër deri dyqind mijë sish. Mirëpo, pastaj krerët ultranacionalistë sllavomaqedonas me mjete të ndryshme presioni e dhune i detyruan të shpërngulen për Turqi.

Si rrjedhojë e një politike të këtillë shfarosëse edhe ndaj yrikëve, ata sot në këto vise nuk kanë mbetur më shumë se 20-30 mijë veta. Edhe yrikët këtu po ndërtojnë identitetin e tyre nacional me gjuhë dhe histori të përbashkët me turqit.
Jevgjit e varianteve të ndryshme të etnogjenezës së tyre, si ata të përkatësisë fetare myslimane, ashtu edhe ata të fesë se krishterë, po ndihen si romë nga gjuha dhe historia e tyre e lashtë dhe po e ndërtojnë sot këtë identitet.

Po kështu edhe boshnjakët dhe torbeshët po e ndërtojnë sot identitetin e vet, duke filluar nga një zanafillë e tyre e hershme ilire-sllave dhe me një ndërthurrje të mëvonshme të elementeve të besimit islam. Torbeshët madje po ndihen sot jo vetëm fetarisht, por edhe kombëtarisht si turq.

Pra, në këto vise të Ballkanit sasia e madhe e sllavëve dhe feja e përbashkët kanë pasur ndikim të madh te vendasit, madje më e madhe ka qenë influenca sllave sesa ajo fetare, dhe kjo mund të shihet edhe në viset ilire në Kroaci, Dalmaci, Bosnë e Slloveni, të cilat edhe u sllavizuan nga sllavët, edhe u islamizuan nga turqit, dhe gjurmët e tyre i ndeshim sot kryesisht të boshnjakët dhe te torbeshët si një produkt ilir-sllav-turk.

Edhe sllavët në Maqedoni kanë të drejtë ta krijojnë identitetin e vet dhe të deklarohen ashtu siç dëshirojnë për etnogjenezën e tyre, të konstruktohen në maqedonas antikë, nëse kjo pranohet e nuk kontestohet nga shkenca botërore dhe nuk dëmton identitetet e popujve të tjerë të gjallë ose të vdekur.

Shkenca universale sllavët në Maqedoni i radhit në grupin e popujve sllavë të jugut, gjuhën, historinë, traditën dhe kulturën e tyre materiale e shpirtërore i lidh me të kaluarën bullgare dhe pjesërisht serbe kohët e fundit.

Megjithatë, ky realitet sllav në Maqedoni nuk u pëlqen disa politikanëve dhe kuazintelektualëve sllavomaqedonas dhe për arsye të tyre nacionaliste e dëshirojnë identitetin e maqedonasve antikë, duke kërkuar aty lavdinë e tyre, ta ngrenë individualitetin e qenies së vet të kompleksuar dhe të zbukurohen para botës si korbi me pendlat e thëllëzës. Për ta identifikimi i falsifikuar me maqedonasit antikë është bërë një obsesion i dëmshëm jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Ballkanin e jashtë tij.

Prandaj, ata duan që nga ky popull me një histori të lashtë e madhështore ta grabitin e ta uzurpojnë çdo gjë të tyre, emrin, flamurin, Lekën e Madh, Filipin II e të tjera e të tjera dhe me emrat e bustat e tyre nominojnë e ndryshojnë vendin, dhe kështu mashtrojnë veten me ëndrrat e një jete iracionale, fantastike dhe magjinare të një populli të idealizuar që ka ekzistuar me mijëra vjet para tyre e që nuk e lidh asgjë me këta sllavë.

Këto rropatje të elitës politike e kulturore, madje edhe akademike, të sllavëve maqedonas për ta veshur popullin e vet me identitetin e maqedonasve antikë e dëmtojnë shumë këtë popull historik, dhe pa dyshim se shkenca botërore një gjë të këtillë nuk do ta pranojë asnjëherë dhe do ta kontestojë përherë.

Pretendimet e këtilla të krerëve sllavomaqedonas për ta përvetësuar identitetin historik, gjeografik dhe kulturor të maqedonasve antikë, kanë shkaktuar sot konfliktin e njohur politik mes shtetit grek dhe atij sllavomaqedonas.

Ideologët sllavomaqedonas për një identitet të imagjinuar dhe në dëm të popujve të tjerë në Maqedoni, me synim të sllavomaqedonizimit të tyre, veprojnë sipas modelit të grekëve të rinj se kush është grek, ai duhet të jetë doemos edhe ortodoks dhe anasjelltas.

Një politikë e këtillë raciste po zbatohet prej disa dekadash edhe në Maqedoni se kush është ortodoks, ai duhet të jetë edhe sllavomaqedonas, dhe kush është sllavomaqedonas, ai është edhe ortodoks. Kjo simbolikë, që fjala ortodoks të bëhet sinonim i kompozitës sllavomaqedonas, ka qëllim fashist që nëpërmjet fesë ortodokse, përkatësisht të ndonjë varianti gjuhësor sllav, të formohet një popull i ri sllavomaqedonas nga një konglomerat popujsh me përbërje të ndryshme etnike.

Si pasojë e kësaj politike shkombtarizuese popujt jogrekë në Greqi dhe ata josllavë në Maqedoni, të cilët u identifikuan me fe ortodokse, u asimiluan në grekë dhe në sllavomaqedonas.

Këtë fat pësuan edhe shqiptarët ortodoksë të Greqisë dhe shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, siç po ndodh sot edhe me shqiptarët e Rekës së Gostivarit.
Konkretisht shteti sllavomaqedonas të gjithë ata popuj që i përkasin konfesionit të krishterë, të ritit ortodoks, pa dallim kombi e gjuhe, oficialisht i regjistron dhe i trajton si sllavomaqedonas, siç janë bullgarët, serbët, vëllehët, një pjesë e shqiptarëve dhe e romëve (jevgjit), si dhe të tjerët.

Derisa Greqia i përzuri nga vendi i vet të gjithë myslimanët grekë dhe jogrekë, në Maqedoni ata popuj që i përkasin konfesionit islam e që shprehen në një të folme, dialekt ose gjuhë sllave, politika oficiale i regjistron dhe i trajton si myslimanë sllavomaqedonas (makedonski muslimani), edhe pse ata nuk janë dhe nuk ndihen si të tillë, siç janë boshnjakët, torbeshët e të tjerët.

Në të dyja këto raste kemi të bëjmë me një gjenocid të tipit klasik që shteti ushtron në vazhdimësi mbi qytetarët e vet për t’i shkombëtarizuar në sllavomaqedonas, duke mohuar plotësisht identitetin e tyre, dhe kjo është një racizëm modern që tejkalon çdo normë dhe të drejtë universale të njeriut për t’u deklaruar lirisht se cilit popull dhe identitet nacional i takon.

Në vazhdën e kësaj politike shoviniste sllavemaqedonase ky shtet favorizon dhe investon moralisht, financiarisht dhe materialisht në zhvillimin dhe afirmimin e ortodoksizmit e të sllavomaqedonizimit në Maqedoni, duke ngritur çdokund kisha, kryqe, pirgje këmbarash dhe mbishkrime qirilike me qëllime të caktuara politike që t’i japë mbarë vendit një dukje të krishterë dhe kështu për të lënë përshtypjen te të huajt se këtu jetojnë vetëm sllavomaqedonasit, përkatësisht ortodoksët.

Ky është një diskriminim i madh shtetëror që mohon ekzistencën e popujve të tjerë dhe afirmimin e identiteteve, të gjuhëve, të feve dhe të kulturave të tyre nacionale.

Realiteti objektiv në Maqedoni është krejt tjetër nga ai që propagandon politika zyrtare e shtetit sllavomaqedonas. Realisht sot në Maqedoni mbi 60 % e qytetarëve nuk i përkasin fesë ortodokse, por feve të tjera, sidomos asaj islame dhe mbi 70 % e banorëve nuk janë sllavomaqedonas, por popuj të tjerë, siç janë shqiptarët mbi 40 %, romët, torbeshët, boshnjakët, vëllehët, turqit, serbët, bullgarët e të tjerë.

Kjo politikë hegjemoniste e një shteti unitarist për një komb, një gjuhë dhe një fe duhet të kundërshtohet fuqishëm nga përfaqësuesit politikë, shkencorë, kulturorë e fetarë të shqiptarëve, romëve, vëllehëve, boshnjakëve, torbeshëve, turqve, serbëve, bullgarëve e të tjerëve, sepse kërcënon sistematikisht asimilimin e këtyre popujve në sllavomaqedonas, si dhe asgjësimin ose largimin e tyre nga Maqedonia me anë mjetesh dhe metodash të ndryshme raciste.

Meqë këta nëntë popuj që jetojnë sot në maqedoni janë jo vetëm një kategori gjeografike, por edhe historike, kanë një kontinuitet dhe autoktoni në kohë dhe hapësirë, bashkë e kanë ndërtuar dhe po e mbajnë gjallë këtë vend dhe shtet, atëherë pse nuk janë të gjithë të barabartë me komb, gjuhë dhe fe?! Pse të mos njihen zyrtarisht identitetet e të gjithëve, kombi, gjuha dhe feja?! Pse ta durojnë dominimin e sllavëve maqedonas mbi vete me vite?!

Është absurde për shkencën dhe qytetërimin modern, kur sllavomaqedonasit thonë irealisht se janë maqedonas të vjetër dhe këtë ua mohojnë të tjerëve që të thonë edhe ata se janë pasardhësit e maqedonasve antikë!

Sipas kësaj logjike të politikës sllavomaqedonase del se të gjithë këta popuj e kanë prejardhjen e tyre nga maqedonasit antikë.

Ky parim i bën të barabarta edhe gjuhët e tyre me sllavomaqedonishten, dhe jo kjo të jetë superiore e ato inferiore, kjo zyrtare e ato private.

Përkitazi me këtë, mund të përmendim edhe një paradoks tjetër se si ky shtet diskriminues torbeshët dhe boshnjakët i quan dhe i regjistron në librat e amzës si myslimanë sllavomaqedonas (makedonski muslimani) dhe sipas kësaj politike destruktive edhe popujt e tjerë në Maqedoni duhej të quheshin kështu: shqiptarët, romët dhe turqit si myslimanë ose ortodoksë sllavomaqedonas, kurse vëllehët, serbët dhe bullgarët si ortodoksë sllavomaqedonas, dhe nga kjo të gjitha gjuhët e tyre duhet të jenë zyrtare si sllavomaqedonishtja.

Me tendencë asimilimi, nuk mungojnë as deklaratat politike të elitës zyrtare të këtij shteti që këtyre popujve t’u japë përkatësinë sllavomaqedonase, duke i quajtur si shqiptarë, romë, vëllehë, turq, goranë (torbeshë) sllavomaqedonas, përkatësisht (makedonski albanci, romi, vlasi, turci, gorani, sërbi i bullgari).
Por në këta defterë politikë si do të quheshin e do të shkruheshin vetë sllavët maqedonas? Sigurisht, se jo ortodoksë ose pravosllavë (sllav) maqedonas, por sllovomaqedonas (makedonski slloveni).

Nga kjo shihet qartë se Maqedonia s’është gjë tjetër veçse një term gjeografik dhe entitet (përbërje) politik i një shteti racist që si i tillë nuk mund të jetë funksional në një kohë supermoderne dhe në një vend evropian me popuj të ngritur kombëtarisht, ndaj dhe ai është i destinuar të vdesë për të jetuar të gjithë në liri dhe pavarësi.

(6.V.2010)