Shtatë vjet nga valëvitja e “AUTOCHTHONOUS” midis Beogradit

Sot bëhen shtatë vite nga drama në stadiumin e Beogradit, ku po zhvillohej ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë.

E ndaluar për tifozët shqiptarë dhe e lejuar vetëm për ata serbë, Ismajl Morina vendosi se s’bën pa u parë një efekt i tifozëve shqiptarë, ani pse nuk lejoheshin brenda stadiumit.

E filluar nga fishkëllimat kur po intonohej himni shqiptarë dhe thirrjet për vrasjen e shqiptarëve, tifozët serbë nuk kishin çfarë të bënin kur para syve të tyre u shfaq harta e “Shqipërisë së Madhe”, dhe figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit anash, e zbukuruar nga mbishkrimi “AUTOCHTHONOUS” (vendas).

Ani se sipas Morinës nuk ishte e planifikuar që flamuri të bie në fushë, një gjë e tillë ndodhi, ku më pas një nga lojtarët serbë kapi flamurin, por që u pengua nga lojtarët shqiptarë, të cilët u vërsulën për të mbrojtur ngjyrat e tyre, shkruan Klankosova.tv.

Tensionet e filluar në minutën e 42-të të ndeshjes janë ende në memorien e shumë shqiptarëve, ndër to edhe fotografia e Taulant Xhakës, duke iu drejtuar me grusht 11 lojtarëve serbë.

Pas trazirave, loja u ndërpre, dhe lojtarët shqiptarë vrapuan drejt zhveshtores, të përcjellur nga hedhja e gjësendeve nga tifozët serbë, e po ashtu edhe sulme fizike nga ana e tyre, të ndihmuar edhe nga sigurimi serbë në stadium.

Pas qetësimit situatës, ditëve në vijim UEFA vendosi se pikët në tavolinë do t’i përkisnin Serbisë, por një gjë e tillë u kontestua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, e cila tri pikët ia kaloi Shqipërisë, gjë që i ndihmoi asaj për të u kualifikuar tutje në Kampionatin Evropian të vitit 2016.