Shtatë raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Kosovës i janë shtuar edhe shtatë raste më COVID-19 duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 985.

Kështu ka njoftuar të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Ferizajit 5 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Ferizaj dhe 1 rast Balaj) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Gjilan dhe Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 23 pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

“Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 736 raste”, bën të ditur Instituti.

Deri më tani në Kosovë nga COVID-19 kanë vdekur 29 pacientë, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nga 18 maji, në Kosovë do të fillojë zbatimi i fazës së dytë të lehtësimit të masave të vendosura në kuadër të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Kurti ka thënë ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihpahen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, ka deklaruar Kurti.

Ai tha se për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, do të vazhdohet me një orar të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.