Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka njoftuar të enjten se në institucionet shëndetësore në Kosovë aktualisht janë të shtrirë, 589 pacientë që janë të infektuar me koronavirus, apo janë në pritje të rezultateve.




Sipas tij, gjendja e pacientëve të shtrirë nëpër këto hapësira është e rënduar.
Në një konferencë për media nga Gjakova, ai ka thënë se prej tyre, 232 gjenden në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa 360 të tjerë janë nëpër spitalet rajonale.
Sipas raportit ditor të SHSKUK-së, Krasniqi ka thënë se 365 pacientë janë në oksigjenoterapi, 41 janë në respiratorë, 11 të intubuar derisa 30 të tjerë po trajtohen me forma tjera të asistimit të frymëmarrjes.
Kosova ka regjistruar të enjten 193 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 491 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar edhe tetë viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 373.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të enjten janë regjistruar edhe 205 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3,999.
Kjo i bie se aktualisht, numri total i të shëruarve (6,616) është më i madh sesa i rasteve aktive.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,988 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.