Shqiptarja që kujdeset për fëmijët në SHBA merr një nga vlerësimet më të bukura për infermieret

Një tjetër histori që mbush me krenari shqiptarët vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Infermierja shqiptare Nermine Dauti është nderuar me çmimin prestigjioz DAISY Nurse Leader Award, një nga vlerësimet më të rëndësishme në fushën e infermierisë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e saj.

Aktualisht drejtuese në repartin e Pediatrisë dhe Kujdesit Intensiv Pediatrik në Edward Hospital në Illinois, Nermine Dauti është vlerësuar për mënyrën se si udhëheq ekipin, mbështet familjet e pacientëve, zgjidh konfliktet dhe promovon standardet më të larta të kujdesit shëndetësor.

Në motivacionin e çmimit thuhet se ajo është një “dritë udhërrëfyese” dhe një shembull i përkushtimit, dhembshurisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

Puna dhe historia e suksesit të Nermine Dautit janë një tjetër dëshmi se shqiptarët vazhdojnë të lënë gjurmë në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, duke u bërë burim frymëzimi për shumë të tjerë.