Shqiptari sakrifikoi veten ditën e Kurban Bajramit, për të shpëtuar vajzën 14 vjeçare që po mbytej

Heronjtë e heshtur ekzistojnë akoma, rasti konkret është me aktin e 38-vjeçarit Dhurim Arra, i cili në ditën e sakrificës të Kurban Bajramit zgjodhi të sakrifikojë vetën për të shpëtuar një të mitur, e cila po mbytej në lumin Buna.

Fati nuk ishte me Dhurimin, por as me vajzën pasi asnjëri prej tyre nuk arritën të shpëtonin.

Ky është vendi ku Dhurim Arra dhe Frenki Pëllumbaj humbën jetën. 2 ditë pas ngjarjes, dyert e mortit në familjen Arra janë ende të hapura. Familjarë, miq, shokë vazhdojnë të kryejnë ende vizita. Banoret e zonës nuk pranuan të flasin pasi e kanë përjetuar si një ngjarje të rëndë.

Viktima ishte babai i 4 fëmijëve, më i madhi është vetëm 9 vjeç.

Vdekja e Dhurim Arrës do të mbahet mend nga banorët e zonës dhe më gjerë, për faktin se nuk ishte një vdekje aksidentale, por një vdekje sakrifice, pasi 38-vjeçari po kthehej për në shtëpi për të festuar Kurban Bajramin dhe pa 14-vjeçaren duke u mbytur dhe zgjodhi të sakrifikojë veten familjen dhe fëmijët, për të shpëtuar një jetë.