Shqiptarët e lindur këtu nuk mund të marrin nënshtetësinë, narkobosët pa problem marrin pasaporta të Maqedonisë

Foto Arkiv: Jovica Vukotiq, udhëheqës i mafisë serbe

Deri sa shumë shqiptarë që kanë lindur në Maqedoni, ose jetojnë këtu me dekada, nuk po munden ende të marin nënshtetësinë, këtë problem si duket nuk e kanë narkobosët e Ballkanit.
Opozita dje publikoi dokumente se si disa persona të dyshuar për krim të organizuar në rajon kanë marrë dokumente identifikimi dhe udhëtimi të Maqedonisë së Veriut. Sipas dosjes së tyre, njëri nga kokat e mafies turke Sedat Peker, ka pasaportë dhe letërnjoftim të Maqedonisë të nxjerr nga Stacioni policor në Draçevë. Sipas VMRO-së, ai me identitet të rremë, sipas dokumenteve sikur Xhadin Ademovski, me adresë në Shkup, ka qëndruar dhe vepruar ilegalisht për një kohë të gjatë brenda territorit, deri në arrestimin e tij më 18 janar, pas çka u ekstradua në Kosovë pasi që ai posedonte edhe shtetësi kosovare.
Nga opozita thanë se bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal që ka ndërhyrë edhe në organet e shtetit duke nxjerr dokumente me identitete të rreme të së paku 200 personave nga nëntoka e rajonit, por edhe nga Amerika Jugore dhe Kontinenti Aziatik. Edhe bosi i klanit serb të ashtuquajtur “Shkallarski” Jovan Vukotiq, posedon pasaportë maqedonase me identitet të rremë si Gjorgji Andonov, të nxjerr në SPB Shkup në 2017, me të cilin ka udhëtuar në disa shtete të Evropës, thonë nga partia e Mickovskit.
Ky skandal ka dalë në shesh në kohën kur ende nuk ka marrëveshje për Ligjin për shtetësinë.