Shqipja dhe shqiptarët në studimet e studjesve të huaj

Shkruan: Xhelal Zejneli

Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të
periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe
hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e
rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik,
të Perandorisë Osmane.
Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën shkencore relevante kanë
mbizotëruar pesë hipoteza:
1. Teza ilire: më 1774: historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann,
1746-1778); 1811: ushtaraku, diplomati, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William
Martin Leake, 1777-1860); 1854: diplomati gjerman, Johan Georg fon Han (Johann
Georges von Hahn, 1811-1869); 1861: gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (Franz Miklosich,
1813-1891); 1882: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer
(Gustav Meyer, 1850-1900); 1894: gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953); 1973:
gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski,
Kursk, Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982); gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans
Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem Çabejin (1908-1980)
mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe
autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha hapësirat në Gadishullin Ballkanik.
2. Teza trake: më 1891: filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901); 1893:
filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm Tomaschek, 1841-1901);
1898: filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt (Hermann Hirt, 1865-1936); 1921:
gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962); 1927:
gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand (Gustaw Weigand, 1860-1930); 1938: gjuhëtari austriak-
çek Julius Pokorni (Julius Pokorny, 1887-1970); 1954: gjuhëtari kroat, ballkanolog e
albanolog Henrik Bariq, (1888-1957); 1957: 1994: historiani gjerman Gotfrid Shram
(Gottfried Schramm, 1929-2017).
3. Teza iliro-trake: më 1911: Norbert Jokl (Norbert Jokl) 1925: Paul Kreçmer
(Paul Kretschmer); 1940: linguisti italian Vitore Pisani (Vittore Pisani, 1889-1990); 1950:
filologu e ballkanologu serb Milan Budimir (1891-1975); 1988: gjuhëtari gjerman,
indoevropianist, keltolog, sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç
(Rolf Kdderitzsch, 1941-2020).
4. Teza dako-mizike: më 1960: gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986).
5. Teza për zhvillimin e pavarur (autonom): më 1964: indogjermanisti gjerman
Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961), “Das Albanische und die Vergleichende
Indogermanisch Sprachwissenschaft”; 1966: linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt
Hamp, 1920-2019); 1987: gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-
1992). Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të
shqipes.

* * *

Historian bizantin, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine, Laonik
HALKOKONDILI (Laonici Chalkokondylas, 1423-1490) është autor i veprës “Tregime historike
në dhjetë libra”. Mendohet se ka lindur në Athinë në një familje fisnike, ndër më të
dëgjuarat në shekullin XV. Në veprën e tij ka përshkruar ngjarjet e viteve 1298-1487, duke u
mbështetur në ato që kishte parë e dëgjuar vetë si dhe në burime të tjera të shkruara.
Halkokondili ndoqi modelin e Herodotit dhe të Tukididit. Vepra e Halkokndilit ka rëndësi

edhe si burim për historinë e Shqipërisë, përmban të dhëna për ilirët, për prejardhjen e
shqiptarëve, për pushtimet e para të osmanëve në Shiqipëri, për zotërimet e Gjon Kastriotit
dhe të Gjergj Arianitit, për luftën e Gjin Zenebishit (? – 1417/18) kundër osmanëve, për
kryengritjen e shqiptarëve në Gjirokastër në vitin 1433, për luftën e Sfetigradit, për
rrethimin e dytë të Krujës dhe disfatën e sulltan Muratit II (1403/1404 – 1451), për
marrëveshjet e Gjergj Kastriotit (1405-1468) dhe të Gjergj Arianitit (?1383 – rreth vitit
1462/63) me udhëheqësin ushtarak hungarez, me prejardhje rumune Janosh Huniadin
(1407-1456), për ekspeditat e Gjergj Kastriotit në Itali, për luftërat dhe kryengritjet e
shqiptarëve të Peloponezit në vitet 1432, 1454 etj.
Në paraqitjen e ngjarjeve, në krahasim me autorë të tjerë, Halkokondili mban një
qëndrim më objektiv. Megjithëkëtë, në disa raste në veprën e tij përzihen ngjarjet,
lartësohen pa vend pushtimet osmane etj.
Shënim: Herodoti (rreth 484 ose 490 – 424/25 para K.) është historian i Greqisë së
lashtë, i quajtur baba i historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi
edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia” me 9 libra. Vepra
përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve.
Tukididi (460 – vdiq pas vitit 400 para K.) historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon
me mjaft realizëm, ndaj është quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna
për luftën civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve në
këtë luftë.

* * *

Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u
parashtrua së pari nga orientalisti dhe juristi anglez Uilljëm Xhons (William Jons,
1746-1794) rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit.
Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një
periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet
gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të
arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin
dhe matematikanin gjerman Lajbnic.
Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e
të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij Vilhelm Gorfrid LAJBNIC
(Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716). Këtë përpjekje ia kishte kërkuar miku i tij M. V. La
Krozë (La Crose) i cili ishte krye-bibliotekist i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë
ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici
bën fjalë në tri apo në pesë letrat që njihen si “Letra shqiptare” të cilat ia dërgonte krye-
bibliotekistit, e që janë shkruar nga 24.06.1704 deri më 15.03.1715. Në to shtroi problemin e
prejardhjes së shqipes, e përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera
(indoevropiane). Theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendas nga huazimet. Vuri
në dukje përkime dhe analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermane, latine etj.
Theksoi se shqipja është gjuhë e veçantë, e dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja,
greqishtja, turqishtja.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të
lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një
fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit
(1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum) (Romë 1635) i
Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me

një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë. Shekulli XVIII është
shekull i iluminizmit.
Ndër të parët që do të merret me shqiptarët është Hans Erih TUNMAN (Hans Erich
Thunmann, 1746-1778). Ai del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e
shqiptarëve. Kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të F. Bardhit dhe përkthimin
shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi. Hans Tunman është historian suedez, një
nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Njohja me
studentë e tregtarë nga vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, midis tyre edhe me
shqiptarë, ia nxiti interesin për ta studiuar gjuhën dhe historinë e atyre vendeve.
Në veprën “Untersuhungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker”
(Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, Lajpcig 1774), H. Tunman bëri
përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së
tyre. Vepra ka të bëjë me historinë dhe me prejardhjen e shqiptarëve dhe të rumunëve. Në
bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine, H. Tunman
arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike
të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u
zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur
në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë, si një formacion etnokulturor
unitar dhe si faktor politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli, për të cilin shprehte
simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. Tunman përfshiu në këtë vepër fjalorin e
mendimtarit dhe filozofit iluminist Theodor Kavaliotit (Voskopojë, 1718 – Voskopojë,
1797) që ia kishte dorëzuar nxënësi i tij Konstandin Xhehani * , një voskopojar i ditur, me të
cilin u takua në Hale. Vepra e H. Tunmanit përbën një ndihmesë për të vënë mbi baza
shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.
Shënim: Konstandin Xhehani (emri i plotë Konstadin Haxhi Jorgji Xhehani (1740-
1822) ishte filozof, mësues, matematikan, poet voskopojar i shekullit XVIII. Lindi në vitin
1740 në qendrën e famshme mesjetare të Shqipërisë, Voskopojë. Ishte nxënës i pedagogut të
shquar të asaj kohe Theodor Kavalioti në Akademinë e Re në Voskopojë. Studioi në disa
universitete evropiane: në Modra të Sllovakisë, Halle të Prusisë (Gjermani), në Kembrixh, në
Leiden të Holandës. Ishte njohës i mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane.

* * *

Filozofi, shkrimtari dhe teoricieni i historisë i shekullit XVIII Johan Gotfrid
HERDER (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e
njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në
këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes
evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë
popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve. Është autori i tretë gjerman (
njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Në kohën kur është botuar vepra e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e
njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen
ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490) dhe
historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien, 1661-1733) dhe Xhuzepe Simone
Asemani (Guiseppe Simone Assemani, 1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë
mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Në vijën e tyre
ishte edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në të cilën, nga pozita
antishkencore, ai përpiqet të argumentojë ardhjen e shqiptarëve nga Albania e

Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë
një shekull para tij.
Në vitin 1807, gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad MALTE-BRUN (Conrad
Malte-Brun, emri i lindjes: Malthe Conrad Bruun. Thisted, Danimark, 1775 – Paris, 1826)
botoi në frëngjisht studimin “Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation
albanaise” (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla
të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bopi, profesor në
Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri.
Më 1850, gjuhëtari gjerman August Shlajher (August Schleicher, 1821-1868),
i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar
indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, vërtetoi karakterin
indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten.
Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta
të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen
patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument
shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje
të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Gjuhëtari dhe albanologu gjerman Franc BOP (Franz Bopp, Mainz, 1791 – Berlin,
1867) është themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane. Profesor në
Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studioi edhe gjuhën
shqipe. Që në vitin 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit, analizoi numërorët dhe
përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre, duke konfirmuar
përfundimin e gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon Ksilander ( Xylander),
libri i të cilit “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835)
doli nga shtypi më 1835. Në vitin 1854, Bopi botoi studimin “Uber das Albanesische in
seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”, ku
u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve
të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes
me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në
familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc
Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Është autor i veprës “A
Comparative Grammar of the Sanskrit, Zend, Greek, Latin, Lithuanian, Gothic, German, and
Sclavonic languages”, (1833-1852) në 3 vëllime (Gramatika krahasuese e sanskritishtes,
zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, gotishtes, gjermanishtes dhe e sllavishtes së
vjetër).
Shënim: Zend është gjuhë e vjetër iraniane me të cilën është shkruar “Zend-Avesta”,
libri i shenjtë i religjionit të Zaratustrës. Predikuesi dhe filozofi iranian Zaratustra jetoi
midis shekujve VII dhe VI para K. dhe është themelues i religjionit të vjetër persian,
mazdaizmit.

* * *

Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe
ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të
saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon.
Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të
shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë.

Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të
pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit,
Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit
shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do
të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e
pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare
të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një
entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën
shkencore.
Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues
diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me
problemet shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku.
Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez, Pukëvil pranon pikëpamjen
fantastike të autorëve bizantinë – Laonik Halkokondilit, të teologut, përkatësisht historianit
kishtar francez Mishel Le Quien dhe të historianit kishtar Xhuzepe Simone Asemani të
mesit të shekullit XVIII, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e
Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit.
Konsull i përgjithshëm i Perandorisë, më pas edhe i Mbretërisë franceze në Janinë dhe
në Patra ishte akademiku, diplomati, shkrimtari, fizikani, historiani dhe arkeologu francez
Fransua PUKËVIL (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ndoqi nga
afër veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), themeluesit të pashallëkut faktikisht
autonom të Janinës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX
për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga
Janina në Shkodër. Në veprat e Pukëvilit jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe
shqiptarët. Është autor i veprave “Voyage de la Grèce” (Udhëtim nëpër Greqi, Paris 1820)
dhe “Histoire de la régénération de la Grèce, prej 1740 deri më 1824”) (Historia e
ringjalljes së Greqisë, Paris 1825). Në to jep të dhëna të çmueshme për vendin, për shqiptarët
dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë së Jugut. Ndonëse ishte armik politik i vezirit të
Janinës, provoi më së miri synimet e tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vlerësimet
e Pukëvilit për ta nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar
kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për
grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.
Në fillim të shekullit XIX, përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të
sundimtarit të fuqishëm në Shqipërinë Jugore, Ali pashë Tepelenës caktohet ushtaraku
anglez Martin Uiljam LIK (Martin William Leake, 14.1.1777 – 6.1.1860). Është autor i dy
veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels
in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, 1835, në katër vëllime).
Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror
dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një
punimi të hartuar nga mësuesi Estra Vithkuqari. Liku jep shënime edhe për një fjalor të
gjuhës shqipe.
Në veprën e dytë sjell materiale përshkruese më të pasura, sidomos për ekonominë,
për shoqërinë dhe gjendjen politike të Shqipërisë së Jugut nën sundimin e Ali pashë

Tepelenës, si dhe për vendburimet arkeologjike. Liku mbështeti prejardhjen ilire të gjuhës
shqipe.
Me punimet e Pukëvilit dhe të Likut bota shkencore evropiane mori në dorë një
informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së
tij.

* * *

Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik
anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kem
Hobhaus * (1786-1869) deri te etnografi francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881) dhe
arkeologu francez Leon Hezej (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së
vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë,
fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Shënim: Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse, më vonë Lord Broughton,
1786-1869) ka qenë personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh
Gordon Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimet e tij në Shqipëri, në Greqi dhe në Turqi.
Përshkrimin e këtij udhëtimi edha në veprën “A journey through Albania and other
provences of Turkey in Europa and Asia…..during the years 1809-1810” (Udhëtim nëpër
Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi…..në vitet 1809-1810, Londër
1813, botim i ripunuar më 1855). Udhëtimi i Xhorxh Hobhausit në Shqipëri përfshin
jugperëndimin deri në Tepelenë. Midis tjerash, ai shkruan: “Kur banorët e viseve të tjera të
Ballkanit pyeten se cilët janë, ata përgjigjen: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”,
ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “jam shqiptar”. Në fund të librit, Hobhaus boton në
anglisht edhe gramatikën shqipe të studiuesit arbëresh Fraçesko da Leçe * (Francesco da
Lecce, vdiq më 1718) dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, të mbledhura nga
vetë ai.
Shënim: Françeskani arbëresh At Françesko da Leçe është autor i veprave
“Dittionario italiano-albanese” (Fjalor italisht-shqip, 1702, 228 f.); “Osservazioni
grammaticali nella lingua albanese” (Vështrime mbi gramatikën e gjuhës shqipe,
Propaganda Fide, Romë 1716).

* * *

Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër – Falmerajer
Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e
Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë
pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e
mesjetës.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe
helenisti apo bizantinisti i shquar austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip
FALMERAJERI (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor
dhe fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në Maqedoni si dhe
në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij, për prejardhjen grekëve thotë:
“Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh
dhe sllavësh, në kulturën e tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit
kulturor antik”. Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi.

Ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.
Në veprën e tij në dy vëllime “Geschichte der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters”
(Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës, Munih 1830-1836) si dhe “Das
albanesische Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi, Munih 1857-1861)
përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë
tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë,
një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Në to trajton edhe historinë e mërgimit dhe
të përhapjes së gjerë të shqiptarëve në trevat greke. Historinë e shqiptarëve në trevat nga u
nisën, në kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, e quan një
“tragjedi historike”.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të
jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si
një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe
përballë rrebesheve më të egra të historisë. Shqiptarët janë një popull ”fantastikisht
liridashës” – thotë ky dijetar i madh.

* * *

Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime
në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit dhe
albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER (Josef Ritter Xylander,1794-1854) “Die
Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835), në të cilin duke u
mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së
lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose
kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët –
pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e
gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare
bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë
dhe shqiptarët.
Etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami BUE (Ami Boué, 1794-1881), gjatë
udhëtimeve nëpër Ballkan, vizitoi edhe Shqipërisë. Veprat e tij me interes për Shqipërinë janë
“La Turquie d’Europe” (Turqia evropiane, Paris 1840), në katër vëllime; dhe “Recueil
d’itinéraires dans la Turquie d’Europe” (Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane,
Vjenë 1854) në dy vëllime. Megjithëse ka dhënë disa të vlerësime të diskutueshme, të dhënat
e tij kanë vlerë historike njohëse. Në veprën gjeologjike “Esquisse géologique de la Turquie
d’Europe” (Përshkrim gjeologjik i Turqisë evropiane, Paris 1840), ndër të tjera ka folur për
vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termale të Dibrës e të Fushë-Krujës dhe për
gjipsin e Vlorës.
Një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, babai i albanologjisë Johan Georg
fon HAN (Johann Gerge von Hahn, 1811-1869) ka qenë albanolog austriak me prejardhje
gjermane, i lindur në Jenë. Gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe
arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që
t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin
shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe
botën shqiptare në përgjithësi “Albanesische Studien”(Studime shqiptare, Jena, 1954). Përpos
veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim

nga Beogradi në Selanik, 1858) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar”
(Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Vëllimet II e III të “Studimeve shqiptare” u kushtohen çështjeve të gjuhës. E shtroi
shumë më gjerë se paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të shqipes.
Shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, të epirotëve dhe të
maqedonasve. Duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe
shpjegoi përmes shqipes shumë toponime ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është
vijuese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i
vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të sotme. Sipas Hanit, ilirishtja
është gjë gjuhë pellazge në kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët
themelore të popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.
Mendimi i tij ishte në kundërshti me tezën e përhapur në shek.. XIX se “shqipja lidhej me
greqishten si gjuhë motra, për shkak të prejardhje së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve
prej pellazgëve”. Mendimi Hanit u shërbeu rilindësve shqiptarë të cilët kërkonin që
shqiptarët të njihen si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë.
Në veprën “Studime shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk
lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi
nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një
popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij
vendi.” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën “Udhëtim nga Beogradi në Selanik”. Ai
riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë
të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë”
(vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë,
Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve
në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i
autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e
kundërshtarëve të autoktonisë.
Në veprën e dytë “Udhëtim nga Beogradi në Selanik” përshkruan trevat lindore të
banuara prej shqiptarëve, në një kohë kur ende nuk kishte filluar shpërngulja e tyre nën
trysninë e shtetit serb. Në veprën e tretë “Udhëtime nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” jep
material të pasur dhe me vlerë për kushtet e jetesës të popullsisë së malësive, për institucionet
juridike-shoqërore dhe për kulturën e saj.
Më 1864 botoi në gjermanisht dy vëllime me përralla greke dhe shqiptare
“Griechische und Albanesische Märchen”. Pason vepra “Sagwissenschaftliche Studien”
(Studime për gojëdhënat, Jenë 1872, 1876, në dy vëllime). U mor edhe me mitet dhe besimet
popullore, me poezitë popullore, me gojëdhënat dhe me përrallat shqiptare. Në fushën e
etnologjisë dha i pari një paraqitje të “Ligjit të Maleve”, Kanunit të Malësisë së Madhe.
Vërejti “Kanunin e Dukagjinit” për viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” për Matin e
Dibrën.
Profesori slloven i Universitetit të Vjenës, akademik në Austri, Franc MIKLOSIÇ
(Franz Miklosich, 1813-1891) ka qenë sllavist, ballkanolog dhe albanolog, Ka botuar edhe
studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për
shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im
Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende
Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër

vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka
përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
* * *

Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët dhe
me të bashkë, fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të
albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe
antropologu Rudolf VIRHOV (Rudolf Ludwig Carl Virchov,1821-1902) i njohur si
themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e
ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirët.
Nga fundi i shekullit të XIX HELBIG-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në
mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të
bregdetit lindor të Adriatikut.
Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të
Gadishullit të Apenineve, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i
trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta
shfrytëzojnë shqipen.
Studiuesi gjerman S. BUGE në vitet ‘90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja
dhe shqipja“ ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të
lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në vitin 1861, arkeologu dhe natyralist francez Leon HËZEJ (Léon Heuzey, 1831-
1922) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkruar nga prijësi
ushtarak romak, shkrimtar dhe burrë shteti Kaj Jul Cezar (Caius Julius Caesar, 100-44 para
K.) në luftën me gjeneralin romak dhe burrin e shtetit, Pompeun (Gnaeus Pompeius Magnus,
106-48 para K.). U kushtoi vëmendje të veçantë qyteteve dhe monumenteve arkeologjike.
Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë e parë të mureve rrethuese të Apolonisë.
Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke, latine e bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti
në vizatime një tog pjesësh arkitektonike dhe skulpturash nga Apolonia dhe Durrësi.
Monumentet më me vlerë historike e artistike, ndër to edhe mbishkrimin e fshatit Arapaj që
bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shekulli II) i nisi për në muzeun e Luvrit (Louvre).
Bashkë me arkitektin Honore Dome (Pierre Jérôme Honoré Daumet, 1826-1911) botoi dy
vëllime me titullin “Mission Archeologique de MacedoineI (Mision arkeologjik në
Maqedoni, Paris 1867). Vepra tjetër “Les Operations militaires de Julius Cesar” (Veprimet
ushtarake të Jul Cezarit, Paris 1886) në pjesën më të madhe zhvilluar në truallin ilir, ka edhe
interes gjeografik e folklorik për gjendjen e trevave përkatëse në shekullin XIX.

* * *

Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po
ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor
MOMSEN-it (Theodor Mommsen, 1817-1903). Ky laureat i çmimit “Nopbel” është
autor i veprës voluminoze “Römisch Geschichte” (Historia e Romës, Lajpcig 1854-
1856). Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në përfundimin
mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij
“Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të
lashtësisë”. Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin
formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të “Fjalorit
etimologjik të gjuhës shqipe“ nga albanologu austriak me prejardhje gjermane, një nga
themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, Gustav MAJER (Gustav Mejer, 1850-
1900). Ka qenë profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër
të tjera, ka botuar veprën monumentale “Etymologisches Wortebuch der albanesischen

Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Strasburg 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë
“Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Në vëllimin III
trajton temën Fonetika e pjesës indoevropiane të shqipes, që është e para fonetikë historike
gjuhës shqipe. Në vëllimin V flet për të folmet shqipe në Greqi. Ka botuar edhe
“Kurzgefasste albanesische Grammatik” (Gramatikë e përmbledhur e shqipes, Lajpcig
1888), Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke.
Falë punës së tij, faktet eshqipes zunë më shumë vend në gjuhësinë krahasuese
indoevropiane. Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo
zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.
Historiani çek, profesor në Universitetin e Pragës, e më pas në Vjenë, Konstantin
JIREÇEK (1854-1918) është autor i një vargu studimesh për vendet e Ballkanit, ndërmjet
tyre disa edhe për Shqipërinë. Bashkë me L. Taloçin dhe M. Shuflajin botoi “Acta et
diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e
Shqipërisë Mesjetare) vëll. I-II, Vjenë 1913-1916.
Gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu gjerman Gustav VAJGAND (Gustav
Weigand, 1860-1930) është i njohur sidomos si studiues i gjuhës rumune. Hartoi atlasin e
parë dialektor të rumanishtes * . U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës
Juglindore, sidomos me gjuhën shqipe dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre
tri gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Ishte përfaqësuesi kryesor i tezës se
gjuha shqipe buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi në artikullin: “A janë shqiptarët
pasardhës të ilirëve apo të trakasve” të botuar në vitin 1927. Po atë vit, gjuhëtari Aleksandër
Xhuvani (1880-1961) artikullin e përktheu në shqip dhe e botoi në revistën “Dituria”. G.
Vajgandi ka botuar një gramatikë të gegërishtes jugore me titull “Albanesische Grammatik
im südgegischen Dialekt” (Gramatike e shqipes së gegërishtes jugore, Lajpcig 1913). Kjo
gramatikë mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit.
Përpos shpjegimeve gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla. Ka
botuar edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip: “Albanesisch-Deutsches und
Deutsch-Albanesisches Wörterbuch”, Lajpcig 1914.
Shënim: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është vepër sintetike themelore e
dialektologjisë shqiptare që paraqet tiparet gjuhësore të dialekteve të gjuhës shqipe me
metodën e gjeografisë gjuhësore dhe gjendjen e studimit të tyre. Vepra përfundoi së hartuari
në vitin 1990 nga një grup dialektologësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të
ASHSH, si: gjuhëtari e dialektologu Jorgji Gjinari (1931-2020) – drejtues shkencor;
gjuhëtari Bahri Beci (1936); studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin Shkurtaj
(1943), studiuesi e dialektologu Xheladin Gosturani (1942-2000). Bashkëpunuan: gjuhëtari
Menella Totoni (1935) dhe gjuhëtari Anastas Dodi (Vlorë, 1933 – Filadelfia, 2008). A.
Dodi është autor i veprës “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”, Tiranë 2004, botuar nga
ASH. Vëllimi i parë i “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe” u botua në vitin 2007 nga
departamenti i studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Napolit (Universitä degli
Studi di Napoli L’Orientale).

* * *

Me shqipen është marrë filologu, neogramatikani dhe romanisti me prejardhje
zvicerane Vilhelm MAJER-LYBKE (Vilhelm Meyer-Lübke, 1861-1936). Është autor i
studimit të gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch”. E ka ripunuar studimin e albanologut
austriak Gustav Majerit (Mejer) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet
latine në shqip). Është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen”
(Gramatikë e gjuhëve romane) etj.

Një nga themeluesit e arkeologjisë ilire është arkeologu dhe historiani austriak Karl
PAÇ (Carl Patsch, 1865-1945). Prej viti 1921 ishte profesor në Universitetin e Vjenës dhe
drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi
Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in
Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në
Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy
libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë
1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e
ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis,
është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.
Për ilirishten dhe shqipen ka shkruar edhe gjuhëtari austriak me prejardhje gjermane,
indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul KREÇMER (Paul Kretschmer, 1866-1956). Ka
qenë një prej profesorëve të Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës.
Ndihmesë të vyer për historinë e popullit shqiptar ka dhënë historiani rumun me
prejardhje shqiptare Nikolla JORGA (Nicolae Iorga, 1871-1940). Në vitet 1915-1916 botoi
në Bukuresht, në gjuhë të huaja disa vëllime me titull “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të
historisë së kryqëzatave të shekullit XV”. Aty jep një material të pasur dokumentar për
luftërat kundërosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Gjergj Kastriotit. Në vitin 1915, në
Bibliotekën Laurentiane të Firences zbuloi dokumentin e parë të gjuhës shqipe “Formula e
pagëzimit” të vitit 1462, shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor dhe këshilltari i
Gjergj Kastriotit, Pal Engjëlli (rreth 1417-1470). Në vitin 1915 N. Jorga e botoi Formulën e
pagëzimit. Në vitin 1919 botoi veprën “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanaise”),
(Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, Bukuresht 1919). Më pas botoi
veprën “Histori e shteteve të Ballkanit deri më 1924”, Paris 1925) ku çështje të historisë së
Shqipërisë zënë një vend të dukshëm. Jorga u vra nga forcat fashiste rumune Garda e Hekurt.
Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera për shqiptarët, si ato të
studiuesit italian Françesko RIBEKO (Francesco Ribezzo, 1875-1952).
Gjuhëtari dhe albanologu i shquar austriak me prejardhje çifute Norbert JOKL
(Norbert Jokl, 1877-1942) lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si
autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i
jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me
rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë
ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi
studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të
marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si
vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und
Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe
“Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-
Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka
edhe studime të tjera. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare, hodhi dritë mbi
prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të
mbajtura si huazime.
Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar
“Indogermanisches Jahrbuch” (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht të gjitha botimet
albanologjike të atyre viteve.
Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë.
Hulumtoi problemin e burimit të shqipes. I shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e

lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten. Shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së
shqipes, duke bërë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po
duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Gjuhëtari dhe albanologu austriak Maksimilian LAMBERC (Maximilian Lambertz,
1882-1963) studioi dialektet arbëreshe, ndarjen dialektore të shqipes, folklorin. Gjatë Luftës
I Botërore bëri një udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë folklorike e dialektore dhe
mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe *. Ka botuar disa vepra për folklorin. Studime
themelore të tij janë “Die Volkspoesie der albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë
1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla
shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar, Vjenë 1922), “Shqipëria rrëfen”, (1956),
studimin për ciklin shqiptar të kreshnikëve “Epika popullore shqiptare”, (1958). Pas vdekjes
u botua punimi “Mitologjia shqiptare” (1969). Më 1914, në fushën e sintaksës, botoi një
monografi për periudhën hipotetike të shqipes. Pas Luftës II Botërore u vendos në RD
Gjermane. Botoi “Fjalor shqip-gjermanisht” (1954), “Antologji shqipe” (1955),
“Gramatikë” (1959). Shkroi artikuj dhe recensione për botime gjuhësore dhe letrare shqipe.
Përktheu në gjermanisht dhe botoi poemën “Lahuta e malcís” të Gjergj Fishtës (1871-
1940), si dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, 1916-2002).
Shënim: Komisia Letrare Shqipe (1916-1918) është komision gjuhëtarësh e
shkrimtarësh që u ngrit në Shkodër më 1916 pranë Drejtorisë së Arsimit me nismën e një
grupi intelektualësh shqiptarë dhe me mbështetjen e konsullit të përgjithshëm të Austro-
Hungarisë e të Komandës ushtarake austriake në Shkodër, për të zgjidhur probleme të arsimit
dhe gjuhës letrare pas Kongresit të Manastirit (1908). Në të morën pjesë Luigj Gurakuqi,
Gjergj Fishta, Hil Mosi, Sotir Peci, Mati Logoreci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër
Xhuvani, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca, Hafiz Ali Korça, Vinçenc
Prennushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima të cilët e vunë punën e KLSh në shërbim të
çështjes kombëtare. Kryetar u caktua Gjergj Pekmezi.
* * *

Studiuesi i historisë së gjuhës shqipe Henrik BARIQ (Henrik Barić, Dubrovnik, 1888
– Beograd, 1957) ka qenë gjuhëtar kroat, ballkanolog dhe albanolog. Në vitin 1906 i filloi
studimet në Grac dhe në Vjenë. Studioi gjuhësinë e përgjithshme, gramatikën krahasuese,
romanistikën dhe sllavistikën. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Vjenë. Më 1920,
docent, më 1923 profesor inordinar, ndërsa më 1930, profesor ordinar në Universitetin e
Beogradit. Pas Luftës II Botërore, profesor ordinar edhe në Universitetin e Sarajevës. Në vitet
1923-1926 botoi revistën “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju“ (Arkivi i lashtësisë,
i gjuhës dhe i etnologjisë shqiptare). Është autor i veprave: „Älbanorumänische Studien I“
(Studime rumune-shqiptare, Sarajevë 1919), „Ilirske jezične studije I“ (Studime gjuhësore
ilire I, Zagreb 1948), „Poreklo Arbanasa u svetlu jezika“ (Prejardhja e shqiptarëve në dritën
e gjuhës, Sarajevë 1954), „Hymje në historinë e gjuhës shqipe“ (Prishtinë 1955), botuar në
Sarajevë më 1959 edhe serbisht-kroatisht. Ka botuar edhe një varg artikujsh. Ndërmori një
fjalor serokroatisht-shqip nga i cili u botua vetëm pjesa e parë „Rečnik srpskoga ili
hrvatskoga i arbanaškoga jezika“, Zagreb 1950. Në shqyrtimet etimologjike të tij, H. Bariqi
e shtoi fondin e njohur indoevropian të shqipes dhe trajtoi disa dukuri të fonetikës historike të
saj. Trajtoi përkimet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes dhe mbështeti tezën trake të
prejardhjes së gjuhës shqipe.
Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon
BLUMENTAL (Albrecht von Blumenthal, 1889-1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli –
studimet e O. HAS-it.

Historiani kroat Millan SHUFLAJ (Milan Šufflay, 1897-1931) është studiues i
historisë mesjetare shqiptare. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra barbarisht nga policia
jugosllave. Bashkë me historianin hungarez Ludovik Taloçi (Lajos ose Ludwig Thalloczy,
1854/56-1916) dhe historianin çek Konstantin Jireçek (1854-1918) botoi më 1913 dhe 1918
vëll. I e II të përmbledhjes “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte
dhe diploma që ilustrojnë çështje të Shqipërisë mesjetare, vëll. I-II, Vjenë 1913-1916). Me
bashkautorët e mësipërm botoi përmbledhjen me studime “Illyrisch-Albanische
Forschungen” (Studime iliro-shqiptare, I-II, Lajpcig 1916). Më 1924 u botua nga Akademia
e Shkencave e Vjenës vepra “Städte und Bürgen Albaniens hauptsächlich während des
Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës). Pasojnë punimet
“Povijest sjevrnih Arbanasa” (Historia e shqiptarëve të Veriut) dhe “Srbi i Arbanasi”
(Serbët dhe shqiptarët). Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, botoi romanin historik me
temë shqiptare Konstantin Balsha”. Historia e shqiptarëve është për të, histori e një entiteti
etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me
aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të
lashtë.

Gjuhëtari gjerman, indoevropianist Hans KRAHE (1898-1965) u mor me zbërthimin
e venetishtes dhe të ilirishtes, e në mënyrë të veçantë me problemin e gjuhës në kohën
parahistorike, kryesisht në bazë të emrave të lashtë të ujërave (hidronimisë). Studioi emrat
ilirë të vendeve dhe të njerëzve. Është autor i veprave “Die alten balkanillyrischen
geographischen Namen” (Emrat e vjetër gjeografikë të ilirishtes ballkanike, Hajdelberg
1925); “Lexikon altillyrischer Personennamen “ (Fjalor i emrave të vjetër vetjakë ilirë,
Hajdelberg 1929); “Die Sprache der Illyrier” (Gjuha e ilirëve, Visbaden 1955). I ndikuar
edhe nga teza e “panilirizmit”, e përhapur që nga fundi i shek.. XIX, ai besonte se kishte
gjetur mbetje të ilirishtes në të gjithë Evropën, duke arritur në përfundim se këto ishin gjurmë
të përhapjes së dikurshme të ilirëve. Ky koncept sot quhet i tejkaluar. Vetë H. Krahe e pati
rishikuar këtë tezë në studimin “Vom Illyrischen zum Alteuropäischen” (Nga ilirishtja në
evropianishten e vjetër) të vitit 1964. Në të, emrat e diskutueshëm të vendeve ia atribuon një
substrati të vjetër indoevropian të përbashkët.
Gjuhëtari italian Karlo TALJAVINI (Carlo Tagliavini, 1903-1982) ishte romanist,
ballkanolog e albanolog. Profesor në Universitetin e Padovës, ku mbajti vite me radhë
ligjërata për gjuhën e për letërsinë shqipe. Botoi studime dhe artikuj për çështje të
dialektologjisë, të leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë
shqiptare. Prej vitit 1941 mbajti për disa vjet rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe
ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”. Në veprën “L’albanese di
Dalmazia” (Shqipja e Dalmacisë, Firence 1937) flet për të folmen shqipe të Borgo Ericos
(Arbëneshit) të afër Zarës. Në punimin “Stratificazzione del lessico albanese. Elementi
indoeuropei” (Shtresëzimi i leksikut të shqipes. Elementet indoevropiane, Bolonjë 1965) ka
dhënë ndihmesë për studimet etimologjike në fushë të shqipes. Hartoi monografinë
dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego orientale (Dardania e Macedonia
nordocidentale)” (Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindore. Dardania dhe Maqedonia
veriperëndimore, Romë 1942) në të cilën dha edhe disa tipare të të folmeve të Kosovës e të
Maqedonisë. Në vëllimin “Stratificazzione del lesicco albanese” (1943, 1965) u botua një
pjesë e kursit për gjuhën shqipe të mbajtur prej tij.
Gjuhëtari rumun, ballkanolog dhe albanolog Haralamb MIHËESKU (Haralambie
Mihaescu, 1907-1985) për gjuhën shqipe flet në veprën “Les elements latins de la langue
albanaise” (Elementet latine të gjuhës shqipe, 1966). Ka sjellë ndihmesa në kritikën

shkencore me recensionet për vepra rreth gjuhës shqipe. Ka marrë pjesë në veprimtari
shkencore albanologjike. Ka sjellë argumente për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe
autoktoninë e hershme të popullit shqiptar në trevat e tij të sotme.
Gjuhëtari bullgar, indoevropianist, ballkanolog dhe albanolog Vladimir GEORGIEV
(Vladimir Georgiev, 1908-1986) studioi në Sofje filologjinë klasike. Në vitet 1932-1934 kreu
një specializim në Vjenë. U mor me probleme të gjuhëve ballkanike, të gjuhësisë
indoevropiane dhe të gjuhëve sllave. Në kuadër të studimeve ballkanologjike trajtoi gjendjen
gjuhësore të Ballkanit në lashtësi, probleme të etnogjenezës së popujve të Ballkanit sipas të
dhënave gjuhësore, lidhjet ndërmjet popujve të lashtë të këtij gadishulli – ilirëve, trakasve
dhe grekëve, probleme të substratit ballkanik dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike. Mbrojti
tezën se në pjesën lindore të këtij gadishulli banonin trakasit në jug dhe dakogetët në veri.
Gjuhën shqipe, për nga burimi, e mendonte të afërt me dakomizishten. Është autor i disa
veprave studimore. Midis tyre edhe vepra “Introduction to the History of the Indo-European
Languages” (Hyrje në historinë e gjuhëve indoevropiane, Sofje 1981). Tregoi interesim për
gjuhët e vdekura, si pellazgjishtja, hetitishtja, etruskishtja.

Në vitin 1963 u themelua Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve për Evropën
Juglindore (Association Internationale d’Études du Sud-Est Européen – AIESEE). Sekretariati
i Përgjithshëm e ka selinë në Bukuresht. V. Georgiev u zgjodh kryetar i parë i saj.
Gjuhëtari dhe albanologu francez Anri BUASËN (Henri Boissin, 1910-1975)
diplomoi për anglishten, për disa gjuhë ballkanike, fino-ugrike dhe më 1949 edhe për
shqipen. Me kursin e tij “Hyrje në albanologji” (1949) mund të merret si themelues i
mësimit të shqipes në Francë. Degën e shqipes e drejtoi deri në vitin 1968. Me disertacionin
“Le dialect guégue parlé à Arbanasi en Dalmatie” (Dialekti gegë që flitet tek arbanasit në
Dalmaci) solli ndihmesë të re në studimet dialektore. Vepra kryesore e tij është “Grammaire
de l’albanais moderne” (Gramatikë e shqipes së sotme, Paris 1975). Për shqipen dhe
letërsinë shqipe ka shkruar një varg artikujsh. Më 1962, mori pjesë në Konferencën e Parë të
Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë.

Gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agnia Vasilevna DESNICKAJA (1912-1992) studioi
për filologji gjermane në Leningrad. Në vitet 1976-1988 drejtoi sektorin e studimeve
krahasuese-historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale. Aty u shfaq interesimi
për ballkanistikën, e posaçërisht për gjuhën shqipe. Në vitin 1957, në Fakultetin e Filologjisë
të Universitetit të Leningradit, themeloi degën e gjuhës e të letërsisë shqipe të cilën e drejtoi
deri në vitin 1992. Në vitin 1946 vizitoi Shqipërinë. Më 1957 përsëri vjen në Shqipëri, por
tani për qëllime studimi. Po këtë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës dhe
letërsisë shqipe. Mori pjesë disa herë në veprimtaritë shkencore të mbajtura në Prishtinë në
vitet 1974-1986. Në vitin 1990 mori pjesë në kolokuiumin e mbajtur në Tiranë, kushtuar
Naim Frashërit.
A. Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e
gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe
gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej
mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të brendshëm të gjendjes
së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoevropianistikë të këtij vështrimi me të dhëna të reja
rreth shqipes. Ka treguar disa tipare të përbashkëta të shqipes me gjuhët gjermane. Është
autore e veprës “Albanskyj jazyk i ego dialekty” (Gjuha shqipe dhe dialektet e saj, Prishtinë
1972) dhe e përmbledhjes “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe” (1987). Paraqiti një tezë
origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor,
por më vonë mori mbishtresa të reja. Në veprën “Istoria vsemirnoj literatury” (Historia e

letërsisë botërore). Në këtë vepër me shumë vëllime, letërsinë shqipe e përfshiu me tre krerë,
Moskë, vëll. 5, 1988; vëll. 6, 1989; vëll. 7, 1991.
Gjuhëtari amerikan Erik Pret HEMP (Eric Pratt Hamp, 1920/21-2019) është një nga
indoevropianistët e sotm më në zë. Është edhe albanolog. Anëtar i jashtëm i ASHSH dhe i
ASHK. Është marrë edhe me studimin e shqipes. Ka shkruar një varg artikujsh për
etimologjinë e një numri fjalësh të shqipes, për fonetikën historike, për numërorët e shqipes,
për vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane, për marrëdhëniet e shqipes me
mesapishten, për tiparet ballkanike të shqipes, për të folmen shqipe të arbëreshëve dhe të
arvanitasve. Është autor i studimeve “On the Arvanitika dialects of Attica and Megarit” (Të
folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës, 1961); “The Albanian dialect of Mandres” (E
folmja shqipe e Mandrës,1965); “Il sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo
Albanese” (Sistemi fonologjik i së folmes së Vakaricit, Kozencë-Rende, 1993). Është autor i
studimeve “The position of Albanian” (Vendi i shqipes) botuar më 1966 në “Ancient Indo-
European dialcts”; “Albanian” (Shqipja) botuar më 1972 në “Current Trends in
Linguistics”, vëll. 9.
Gjuhëtari kroat Radoslav KATIÇIQ (Radoslav Katičić, Zagreb, 1930 – Vjenë, 2019)
është studiues i filologjisë klasike, indoevropianist, sllavist, ballkanolog dhe indolog. Prej
vitit 1977 profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Në fushën e ballkanologjisë
ka shkruar veprën “Ancient Balkan Languages” (Gjuhët e lashta të Ballkanit, 1976), në dy
vëllime. Në të, me argumente historiko-gjuhësore dhe onomastike shtjellon tezën e
prejardhjes ilire të shqipes. Hapësirën onomastike ilire në lashtësi e ndante në tri zona të
mëdha: liburne, panone dhe ilire e mirëfilltë (Illyrii proprie dicti). Është edhe autor i një libri
për mitologjinë ilire.

* * *

Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm
ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë
fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë një fushë të veçantë të dijes, të
njohur si ilirologji. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe autoktonia e tyre në të
gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik, sot është pranuar pothuajse në të gjitha
qarqet shkencore të Evropës dhe më gjerë. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve
përbën ndërgjegje kombëtare për kombin shqiptar.

LETËRSIA GOJORE SHQIPTARE DHE STUDIUESIT E HUAJ – Përmbledhja më e
hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan georg fon Han në
trevëllimshin “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jenë 1854). Mjeku gjerman Karl
Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) shërbeu në flotën
greke kur u njoh me folklorin shqiptar nga detarët shqiptarë. Në librin “Noctes Pelasgicae”
(Net pellazge, Athinë 1855) botoi një përmbledhje me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të
urta shqiptare, bashkë me një gramatikë të shqipes. Folkloristi italian Xhuzepe Pitre
(Guiseppe Pitrè, 1841-1916) në librin “Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani”
(Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875, katër vëllime) botoi një
përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia. Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste
Dozon, 1822-1891) që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore
shqiptare në librin “Manuel de la langue chkipe au albanaise” (Doracak i gjuhës shqipe ose
albaneze, Paris 1879). Pas dy vjetëve botoi librin “Contes albanais, recueillis et traduits”
(Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera, Paris 1881). Gjuhëtari çek Jan Urban
Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, ndërto një poezi, dy përralla

popullore dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin “Prispevky ku poznani nareci
albanskych” (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë 1883). Albanologu
austriak Gustav Majeri (Gustav Meyer, 1850-1900) botoi 14 rrëfenja shqiptare në
“Albanische Märchen” (Rrëfenja shqiptare, Lajpcig 1884) si dhe një numër rrëfenjash toske
si shtojcë e gramatikës së ti shqipes “Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit Lesetücken
und Glossar” (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig 1888). Material
folklorik botoi edhe në vëllimet V e VI të “Albanesische Studien” të tij (Studime shqiptare,
Vjenë 1896-1897). Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), më 1893 vizitoi
Shqipërinë, për të mësuar gjuhën dhe për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me 35
përralla popullore shqiptare që i regjistroi në Shqipëri dhe në Korfuz, u botua në librin
“Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, Lajpcig 1895).