Shqipëria po mbahet si kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-Maqedoni e Veriut

Shkruan: Ditmir Bushati

Dje vendet anëtare të BE-së përsëriten në konkluzionet e tyre se: “Këshilli pret me padurim mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sa më shpejt të jetë e mundur, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli.”
Bashkimi Europian njihet për gjuhën diplomatike dhe eksplorimin e shtigjeve të reja në mënyrë kreative, duke pasur parasysh faktin që vendimmarrje të tilla kërkojnë konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Megjithatë, formulimi i mësipëm është i paqartë në raport me aspiratat, mundin dhe sakrificat e popullit shqiptar që nga shembja e regjimit komunist e deri më sot, sikurse me vetë politikën e zgjerimit.
Vendimi i parë i Këshillit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë është marrë që në Qershorin e 2018-ës, ku vetë Këshilli përcaktoi edhe një hartë rruge dhe objektiv konkret për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda fundvitit të 2019-ës.
Vendimi i dytë i Këshillit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë është marrë në Marsin e 2020-ës, por pa u shoqëruar me datën se kur do të mbahej konferenca e parë ndërqeveritare që simbolizon edhe zyrtarizimin e këtij procesi.
Ndërkohë që po mbyllet viti 2021, Këshilli në konkluzionet e djeshme thotë se pret me padurin mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por sapo të miratohet korniza negociuese, e cila gjithashtu miratohet nga Këshilli dhe jo nga ndonjë aktor jashtëtokësor.
Shqipëria po mbahet si kolateral i mosmarrëveshjes ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shënuar rastin më absurd në historinë e politikës së zgjerimit të BE-së.
Edhe pse në kuadër të përçimit të mesazhit politik dhe kontekstit gjeopolitik do të ishte një sinjal inkurajues ulja njëkohësisht e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, është dyfish i padrejtë ‘ndëshkimi’ i Shqipërisë për shkak të bllokimit të paarsyeshëm që i po i bëhet Maqedonisë së Veriut.
Gjetja e konsensusit brenda radhëve të BE-së për hapjen e grup kapitujve të çështjeve të mjedisit (cluster 4) me Serbinë, në të njëjtë dite me mospërcaktimin e datës për zyrtarizimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ngjan më tepër si një politikë kompensuese për të mbuluar dështimin me procesin e zgjerimit.
Ne nuk kemi alternativë përkundrejt anëtarësimit në BE. Na duhet ky proces jo si garë në letër se kush hap më shumë e më shpejt kapituj, por si mundësi motivimi për të udhëhequr reforma që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës. Por, nuk ka arsye të bëjmë paqe me paqartësinë që shoqërohet me mungesë objektivash, të cilat vrasin ëndrrën europiane.